Kjo është rruga më e re që të çon në malin e fshatit Kondovë. Është hapur kohëve të fundit, por nuk dihet se nga kush. Janë prerë edhe drunjtë, ndërsa banorët e kësaj zone deri në redaksinë e TV21 u ankuan se mbi shtëpitë e tyre ka shumë pluhur nga gërmimet që janë bërë kohëve të fundit. Banorët kishin drojë të flasin para kamerës, por thonë se atje për punohet ilegalisht.
“Banorët e Kondovës u ankuan se në malin e tyre po gërmohet rruga e pyllit për të marrë gurë nga këtu, por pamjet në terren janë ndryshe. Ashtu siç edhe pamë ne këtu ka filluar të ndërtohet një vikend shtëpizë”, raporton gazetarja e TV21, Valmira Zendeli.
Ishin vendosur armaturat prej hekuri dhe vendi ishte përgatitur për hedhje të bazamentit prej betoni, por sot aty nuk punohej. Punimet ndërtimore ishin ndalur edhe pse aty në afërsi kishte të zbarkuara tulla.
Banorët janë ankuar edhe deri te komuna e Sarajit.
E nga Komuna thonë se Inspektorati për ndërtim i komunës menjëherë ka dal në terren dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për ndërtim pa leje dhe uzurpim i tokës shtetërore.
“Me datë 16.02.2022 Inspektorati i ndërtimit ka dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është uzurpuar toka shtetërore, dëmtim i pyllit dhe ndërtim pa leje. Është përgatitur procesverbal dhe vendim për rrënim te objektit. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Inspektoratin Shtetëror të Pyjeve dhe institucionet tjera”, thanë nga Komuna e Sarajit.
Nga Komuna e Sarajit theksojnë se rastin janë duke e ndjekur nga afër dhe do të veprojnë sipas kompetencave dhe detyrimeve ligjore, ndërsa shtojnë se banorët janë ankuar se kanë frik nga vërshimet e mundshme nga shiu dhe uzurpimet.
Ndryshe në këtë hapësirë shihet se janë ndërtuar edhe disa shtëpi të tjera.
