KOMUNA QENDËR DHE AERODROM, ORËT E PARA TË VOTIMIT ME FLUKS TË VOGËL VOTUESISH

TË FUNDIT

“Komuna qendër, jemi në godinën e shkollës së mesme Josip Bros Tito, ku ka pesë pika votimi dhe këtu duhet të votojnë gjithsej 1854 qytetarë. Janë minutat e para të hapjes së vendvotimeve dhe ende nuk ka fluks ose qytetarë që kanë ardhur të votojnë”, Almedina Ismajli, gazetare.

Kryetarja e këshillit zgjedhor, për vendvotimet me numër 2857 thotë se vendvotimi është hapur në kohë dhe se procedura e votimit po rrjedh pa ndonjë problem.

“Po, vendvotimi u hap në kohë të saktë, këtu duhet të votojnë 619 qytetarë. Për momentin nuk kemi dalje, presim që pas orës 10 të rritet fluksi. Edhe pse jemi në minutat e para gjithçka po shkon me rregull”, tha Rode Gjeorgjievska nga Komisioni Komunal Zgjedhor, Komuna Qendër.

Në Komunën e Aerodromit, në vendvotimin 2681, ku të drejtë vote kanë 1006 persona deri në orën 8: 30, kanë votuar vetëm 26, ndërsa në vendvotimin me numër 2683, ku të drejtë vote kanë 801 qytetarë, kanë votuar vetëm 9 qytetarë.

“Vendvotimi është hapur në kohë, në përbërje të plote, gjithçka është në rregull me vendvotimin. Këtu duhet të votojnë 499 votues, prej të cilëve 20 e kanë realizuar të drejtën e votës. Besoj që gjatë ditës do të ketë dalje të madhe dhe gjithçka do të kalojë qetë”, theksoi Sanja Trajkovska nga Komisioni Komunal Zgjedhor, Komuna Aerodrom.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut po mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve të gjashtë presidenciale. Në 3,480 vendvotime në Republikë dhe në 32 jashtë vendit në zgjedhjet e gjashta presidenciale mund të votojnë 1.808.131 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore.

Përgatiti: Almedina Ismajli