Komuna e Tetovës ka paraparë tre milionë denarë për trajtimin e qeneve endacakë në Tetovë. Sipas kryetarit të këshillit të komunës, ata janë në bisedime me një kompani e cila do të merret me trajtimin e qenve endacakë, por komuna duhet të sigurojë një strehimore.
“Tre milionë denarë janë ndarë për qentë endacakë dhe shumë shpejtë do të vijmë në fazë përfundimtare të bisedimeve me një investitor nga shtetet e huaja. Në qoftë se arrijmë gjithçka të përfundojmë si duhet, trajtimin dhe sterilizimin e atyre qenve do e bëjë ajo kompani. Mjafton që Komuna e Tetovës të gjejë një vend ku do t’i trajtojë qentë. Pasi të përfundojmë atë proces, do të jeni të njoftuar.”- deklaroi Besar Durmishi-kryesues i Këshillit.
Por komuna e Tetovës akoma nuk ka përfunduar kontratën me AMOS PET, kontratë e cila u nënshkrua nga gushti i vitit që lamë pas. Kryetarit Bilall Kasami, thotë se për shkak llogarisë së bllokuar ka hasur në disa pengesa.
“Deri në këtë fazë jemi të kënaqur, por kemi edhe problem tjera, që fatkeqësisht lidhen me gjitha problemet tjera, pasi që komuna e Tetovës nuk mund të menaxhojë me mjetet dhe financat, pra jemi të bllokuar edhe për shkak se nuk mund të menaxhojmë një pjesë të kontratës në fjalë ne nuk mund të vazhdojmë me projektin.”- Bilall Kasami- kryetar I komunës Tetovës.
Në bazë të një analize që është bërë nga shoqata e cila merret me largimin e qeneve, në Tetovë ka mbi 500 qen endacakë, ndërsa komuna me këtë shoqatë ka nënshkruar marrëveshje për trajtimin e 80 qeneve. Në bazë të një raporti, në gjashtë mujorin e parë të viti që lamë pas, në Tetovë, çdo gjashtë ditë është kafshuar një qytetarë nga qentë endacakë.
