Komuna e Tetovës me 4 padi penale, njëra ndaj Teuta Arifit

TË FUNDIT

Komuna e Tetovës ka ngritur padi penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare kundër ish-kryetares së komunës së Tetovës Teuta Arifi. Përveç ndaj saj padi është ngritur edhe ndaj një ish-punonjëse në komunë, avokatit të komunës edhe një gjykatësi. Komuna pretendon se ka pasur keqpërdorime të mjeteve financiare të buxhetit komunal. Sipas Kasamit ka të bëj me një eksproprijim, ku vlera e ka qenë 3 milionë denarë dhe vlera e kamatës për këtë shumë është 65 milionë denarë. E kjo lëndë daton që nga vitet e 80-ta, e cila është riaktivizuar në vitin 2015.

“Ne si komunë kemi ngritur padi penale ndaj ish-kryetares së komunës dhe një zyrtare të afërt të saj. Ndaj një gjykatësi dhe një avokati, nën dyshimin se kanë keqpërdorur autoritetin dhe pozitën zyrtare, duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Tetovës, në vlerë prej 68 milionë denarë, për të cilën lëndë ne që nga marrja e mandatit vetëm për kamatë, kemi paguar mbi  29 milionë denarë, përafërsisht gjysmë milioni euro. Lënda me Nr. P47/20 për të cilën bëhet fjalë ka të bëjë me një pronë eksproprijimi i të cilës është bërë shumë më herët dhe vlera ka qenë afër 50 mijë euro”- deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Komunës Tetovës

Sipas Kasamit, ish drejtuesit nuk kanë reaguar në kohë dhe nuk kanë parashtruar asnjë ankesë apo të bëjnë marrëveshje me palën që të mos dëmtohet buxheti i komunës së Tetovës, me të vetmin qëllim për të përfituar nga pazaret e mundshme që kanë mundur të bëjnë me palën.

Televizioni 21 gjatë ditës së sotme pyeti edhe në Prokurorinë Themelore se nëse është ngritur kallëzim penal dhe nëse prokuroria ka filluar hetim. Por nga atje na thanë se ata e kanë pranuar lëndën dhe se gjatë ditëve në vazhdim do të shihet se nëse me këtë rast do të merret Prokuroria e Tetovës, apo Prokuroria për Krim të Organizuar.