Komuna e Kërçovës merr tokë private, jep tokë shtetërore! Do të ndërtohet stacion ngarkim-shkarkimi për mbeturinat, banorët kundër

TË FUNDIT

Në Kërçovë, në afërsi të fshatit Sërbjan, poshtë Centrallës po ndërtohet një stacion ngarkim-shkarkimi për mbeturinat në Kërçovë.

Javë më parë në TV21 reaguan banorët e fshatrave nga Sërbjani e deri në Pllasnicë, duke kundërshtuar këtë veprim të Komunës, por zëri i tyre nuk u dëgjua.

Kryeministri Hristijan Mickoski kujtoi se janë në bisedime me pronarin e një toke private për të ndërtuar stacionin dhe në këmbim t’i japin tokë shtetërore.

“Deponia regjionale në Novaci, nga asgjë sërish e bëjmë nga fillimi dhe ai projekt është në fazë të zhvillimit. Stacion ngarkim-shkarkimi është gjetur një lokacion këtu në Kërçovë dhe është duke u punuar me pronarin e atij lokacioni me këmbim të një toke shteti dhe kur ajo të bëhet atëherë do të kemi stacion ngarkim-shkarkimi”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kjo gjë vazhdon të shtojë revoltën tek banorët, të cilët insistojnë se nuk do të ndalen, do të luftojnë deri në fund, por kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandër Jovanovski, mundohet t’i qetësojë duke i siguruar se nuk është një deponi, por stacion ngarkim-shkarkimi për mbeturinat.

“Në Kërçovë është paraparë stacion ngarkim-shkarkimi dhe jo deponi, atë patjetër ta sqarojmë që ta dinë qytetarët tanë. Ai stacion ngarkim-shkarkimi do të jetë në bazë të gjitha standardeve botërore, i rrethuar, i asfaltuar, nuk do të ketë ujëra të zeza, nuk do të ketë ndotje dhe çka është më e rëndësishme nuk do të ketë mbeturina, ato mbeturina që në ditë do të mblidhen do të ngarkohen dhe do të dërgohen në Novaci të Manastirit, u shpreh Aleksandër Jovanovski – kryetar i komunës së Kërçovës.

Sipas të gjitha gjasave, deponia në Novaci të Manastirit do të jetë gati në vitin 2029, andaj banorët janë të shqetësuar se sa mbeturina do të mblidhen për 3 vite në atë lokacion ku po ndërtohet stacioni dhe i cili është shumë afër vendbanimeve, sidomos fshatit Sërbjan, ndërsa pikërisht në atë vend ka fusha që punohen dhe shtëpiza vikendi.