Komuna e Haraçinës mbyll dyert/ Për shkaqe sigurie nuk do të punojë të paktën një javë

TË FUNDIT

Tanimë dy ditë komuna e Haraçinës është e mbyllur për qytetarët. Në punë nuk shkon as kryetari i komunës por as punonjësit e administratës. Arsyeja për këtë siç njofton kryetari i komunës, Ridvan Ibrahimi, janë kërcënimet e vazhdueshme me jetë që i drejtohen atij dhe personelit tjetër.


Jo vetëm që mua personalisht si kryetar komune më kërcënojnë por edhe tërë administratën komunale. Andaj, mu për këtë shkak, nga dita e martë prej kur ndodhi edhe incidenti i fundit, deri në ditët në vijim, administrata komunale nuk do të jetë në funksion, përshkak të kërcënimeve që vijnë nga persona të caktuar që shkaktojnë incidente. Dhe nuk do të jetë në mundësi që qytetarëve t’ua ofrojmë shërbimet e duhura.”- deklaroi Ridvan Ibrahimi – kryetar i komunës së Haraçinës.

I gjithë problemi është shkaktuar për një pronë tokësore tek e cila është paraparë të ndërtohet një fushë futbolli për klubin futbollistik Shkendija, ndërsa e njejta sipas kryetarit, është uzurpuar nga persona të njohur për të dhe organet e rendit. Pengesa sipas Ibrahimit, ka edhe në emërimin e drejtorëve shkollorë në Haraçinë.


“Andaj për këtë shkak kemi filluar procedurën me Ministrinë e Bujqësisë që këtë pronë ta përshtatim për këto qëllime. Por fatkeqësisht, këto prona për momentin janë të uzurpuara nga ana e personave që shkaktuan incidentin. Një kohë të gjatë kam problem edhe me emërimin e drejtorëve të shkollave fillore që janë në kuadër të komunës së Haraçinës, ngase çdo kandidat që më jepet nga ana e këshillit të shkollës, po të njejtit persona i kërcënojnë dhe asnjë nga këto kandidatë nuk pranon për t’u përzgjedhur drejtor shkolle.”- tha Ridvan Ibrahimi – kryetar i komunës së Haraçinës.

Të gjitha këto akuza i mohon vet personi që po akuzohet, Brahim Ajvazi. Ai në një deklaratë ekskluzive për TV21 shprehet që prona nuk është uzurpuar por e njejta menaxhohet nga familja e tij dhe familjeve të dëshmorëve.


“Nuk është e vërtetë. Tjetër është uzurpim e tjetër gjë kur e ke në menaxhim. Uzurpimi është aty për aty. Kjo tokë është marë në 2013tën. Aty ka disa familje, familje të dëshmorëve, ushtarë që nuk kanë të ardhura, me atë tokë ata mbajnë familje dhe së paku 150 persona prej aty ushqehen.”- tha Brahim Ajvazi – Ish kryetar i Haraçinës.

Ai mohon të ketë kërcënuar kryetarin e komunës.


“Ka pasur sulm, çfarë sulmi ka pas? Nëqoftëse ti shkon personalisht edhe e kërkon një dokument ose ia çon një dokument e ai të kërkojë polici e siguri? Policia me komandantin dhe pesë policë kur shkuan aty kanë qenë dëshmitarë dhe thonë se nuk ka patur kërcënim. Kanë qenë punëtorët administrativ, nuk ka patur kërcënim. Ka kamera!”- shtoi Brahim Ajvazi – Ish kryetar i Haraçinës.

Ndërkohë ministri i brendshëm Oliver Spasovski, njoftoi që për kërcënuesit do të ngriten kallëzime penale por gjithsesi sipas tij, më së miri është që të dy palët të arrijnë marrëveshje mes vete.

“Tashmë po merren masa në përputhje me udhëzimet që po i jep Prokuroria Publike dhe do të parashtrohen kallëzime kundër këtyre personave, por mendoj që të gjitha ato punë që po ndodhin në Haraçinë, janë punë që duhet t’i sqarojnë mes vete, pse, sepse konfliktet mes vete që i kanë personat nga prominenca të njëjta politike, njerëz me interes të njëjtë dhe kështu me radhë, nuk duhet negativisht të paraqitet te qytetarët, në punën e komunës”, tha mes tjerash Spasovski.

Kryetari i komunës së Haraçinës nuk është hera e parë që kërcënohet në vendin e punës. Kërcënime ka patur edhe në të kaluarën, ndërsa bëhet fjalë për persona të së njejtës parti, nga Bashkimi Demokratik për Integrim.