Qytetarë nderi të Gostivarit nga sot janë infektologët Fadil Cana, Ilir Demiri, Ratko Naumovski, Enes Memeti dhe Mesut Hasipi, dhe mirënjohja post-mortum iu nda Dr. Trajçe Neshkovskit. Propozimi i kryetarit të komunës Arben Taravari mori mbështetje nga Këshilli komunal në seancën e tij të 29-të.
“Disa ditë më parë, i sugjerova Këshillit që tre mjekët që po luftojnë me Kovid 19 në klinikat e Shkupit, Cana, Demiri dhe Neshkovski, të shpallen qytetarë nderi. Njohjen e tillë e meritojnë bashkëqytetarët tanë mjekët Ratko Naumovski, Enes Memeti, Mesut Hasipi të cilët janë në radhët e para në luftën e pandemisë në Gostivar”, tha kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Mirënjohjet “qytetar nderi”, sipas njoftimeve, do të jepen solemnisht më 23 dhjetor për Ditën e komunës së Gostivarit. Më herët, mjekët morën falënderime.
Seanca e sotme, për të përmbushur protokollet dhe masat e mbrojtjes u mbajt në sallën e madhe të HEC Mavrov. Ndër pikat e tjera të rëndësishme ishte votimi i programit të zhvillimit për vitin 2021. Ajo parashikon mbi 100 projekte kapitale. Dashmir Osmani nga Zyra për zhvillim ekonomik lokal të komunës së Gostivarit, tha se pandemia do të ketë ndikim negativ gjatë vitit 2021. Ai potencoi se investimet e planifikuara nuk do të realizohen siç janë planifikuar dhe disa mund të lihen jashtë.
Programi përfshin rindërtimin e rrugëve kryesore për të cilat financimi parashikohet të bëhet me fonde nga buxheti komunal, hua dhe grante nga jashtë. Parashikohet realizimi i tridhjetë projekteve në modernizimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Për të përmirësuar kushtet në shkolla, vetëqeverisja lokale për vitin e ardhshëm planifikon të zbatojë 19 projekte në lidhje me mirëmbajtjen dhe rindërtimin e ndërtesave shkollore.
Fillimisht, programi për vitin 2021 ishte me madhësi mbi 20 milionë euro, por për shkak të të ardhurave dhe kushteve të reduktuara të krijuara nga pandemia, ai ndoshta do të ulet me 60-70 për qind.
