Komuna e Gostivarit dhe OSBE me projekt për qeverisje të mirë

TË FUNDIT

Kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta dhe zëvendës shefja e misionit të “OSBE” në Shkup, Mariane Berec, nënshkruan memorandum për bashkëpunim për implementimin e projektit “Promovim i qeverisjes së mirë në administratën publike sipas parimeve të Marrëveshjes së Ohrit”.

Sipas memorandumit, OSBE-ja dhe Komuna e Gostivarit do të bashkëpunojnë për qëllim të implementimit të aktiviteteve të parapara në projektin e quajtur “CAF”, korniza për vlerësim të përbashkët. Gostivari është njëra prej tre komunave ku OSBE-ja financon zbatimin e këtij projekti që është obligim ligjor i të gjitha institucioneve në Republikën e Maqedonisë.

“CAF”, korniza për vlerësim të përbashkët, është vazhdimësi e implementimit të “ISO” standardeve. Në kuadër të projektit janë parapare punëtori për këshilltarët dhe administratën. Grupi punues i përbërë prej përfaqësuesve të Komunës është duke punuar në të gjitha kriteret sipas ‘CAF” dhe deri në nëntor duhet ta përgatisë strategjinë për dy vitet e ardhshme për të përmirësuar dhe avancuar veprimet të punës në Komunë.