Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu pranoi donacionin prej 100 tabletëve nga kompania “Ecolog International” e udhëhequr nga familja Destani, pajisje këto për të cilat në këtë periudhë më së shumti kanë nevojë shumë nxënës që përballen me sfidën e mungesës së pajisjeve adekuate për ndjekjen e online procesit arsimor.
Lidhur me këtë kreu i komunës Ganiu u shpreh: “Për ne si komunë është shumë e rëndësishme që pa përjashtim të gjithë fëmijët respektivisht nxënësit tanë, të ndjekin pa asnjë pengesë procesin e adaptuar edukativo-arsimor duke lejuar që drita e dijes të ndriçojë pa ndërprerje rrugën e tyre të jetës.
Duke konsideruar se ekzistojnë familje gjendja ekonomiko-sociale e të cilave nuk u mundëson atyre që fëmijëve të tyre t’iu ofrojnë kushte për ndjekjen e mësimit në këtë formë për shkak të mungesës së internetit dhe mjeteve teknologjike, iniciativat e këtilla humanitare si kjo e sotmja janë të një rëndësie të madhe dhe unë shpreh faleminderimin e sinqertë ndaj familjes Destani dhe udhëheqësisë të kompanisë Ecolog International. Tabletët në fjalë posedojnë edhe opsion për vendosjen e SIM kartelës”.
