Kompani si Netflix, Google dhe Amazon do t’i paguajnë tatim Maqedonisë së Veriut! Besimi: Po vendosim bazë juridike në Ligjin për TVSH

TË FUNDIT

Ministri i Financave, Fatmir Besimi në “Summer Click” në TV21 njoftoi se në reformat e Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH) do të vendosen dy risi që do të japin bazë juridike që kompani të mëdha në botën digjitale të paguajnë tatim në Maqedoninë e Veriut. Besimi tha se deri tani kompanitë në fjalë edhe pse kanë realizuar profit në vendin tonë, të njëjtat nuk kanë paguar tatim në munges të legjislacionit.

“Shihni Netflix, Google ose Amazon, kështu me radhë, vendosim përfaqësues tatimor dhe vendin e e fitimit tatimor, çka do të thotë kjo, ne tani shohim Netflix ose ndonjë TV tjetër ose shfrytëzojmë shërbim tjetër nga Amazon, ne i paguajmë tatim atyre kompanive që janë të detyruar ndaj kompanive të tyre vendase, por nuk paguajmë tatim në vend dhe kjo jo që ata nuk duan të paguajnë tatim te ne, por për shkak se ne nuk kemi legjislacion. Tani me Ligjin për TVSH-në ne miratojmë bazë juridike, subjekt të ri, përfaqësues tatimor dhe ky status i përfaqësuesit tatimor…ka kompani ndërkombëtare dhe kompani vendore, konsultuese, të kontabilitetit që do të jenë përfaqësues tatimor të kompanive të huaja që realizojnë profit te ne dhe ata do të llogarisin, tatimi do të mbetet te ne”, tha mes tjerash Besimi në TV21.