Komiteti i Konventës së Bernës në Këshillin e Europës i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut që të ndalojë të gjitha projektet dhe aktivitetet aktuale që janë në kundërshtim me dispozitat e UNESCO-s. Të shtyhet miratimi i dokumenteve kyçe deri në miratimin e rekomandimeve të UNESCO-s, të ndalohen të gjitha procedurat për urbanizimin e mëtejshëm dhe aktivitetet e tjera ndërtimore në dhe pranë zonave të mbrojtura, duke përfshirë procedurat administrative për të njëjtat, si dhe të gjitha procedurat për legalizimi i ndërtimeve pa leje.
“Kjo do të thotë që të gjitha këto procese duhet të ndalen, duhet të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë se si do të zgjidhet ky problem në të ardhmen. Nga niveli kombëtar në atë lokal. Tani ne si organizata civile po mundohemi ta aktualizojmë këtë problem. Të gjendet një zgjidhje sepse degradimi itrashëgimisë natyrore dhe kulturore vazhdon dhe nuk ndalet”- deklaroi Nikolla Kiselinov, kryetar i shoqatës turistike “Biljana”, anëtar i UNESCO-S.
Sipas ambientalistëve, ky është një tjetër karton i verdhë për vendin nga institucionet ndërkombëtare. Dokumentet e tilla të dërguara nga Këshilli i Europës janë një masë fillestare që duhet të ndërgjegjësojë institucionet dhe subjektet që punojnë për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.
“Komiteti i bëri thirrje shtetit të ndalojë të gjitha projektet dhe aktivitetet aktuale që janë në kundërshtim me dispozitat e Konventës së Bernës derisa të kryhet misioni për të anuluar miratimin e dokumenteve kryesore, deri në miratimin e rekomandimeve të misionit në terren për të ndalur të gjitha procedurat për urbanizimin e mëtejshëm dhe aktivitetet e tjera ndërtimore në dhe pranë zonave si dhe të gjitha procedurat për legalizimin e ndërtimeve pa leje në këto territore”- thonë nga Organizata “Front 21/42”.
E nga ana tjetër Maqedonia dhe Shqipëria duhet të përpilojnë një plan të përbashkët për mbrojten e rajonit sipas rekomandimeve të UNESCO-s.
“Duhet që qeveria e Shqipërisë dhe e Maqedonisë të kenë një plan konkret për at që quhen hot-spot në rajon, pavarësisht kësaj situate, ne kemi disa iniciativa të tjera, por që faktikisht nuk i respektojnë të gjithë rekomandimet që UNESKO po i jep për rajonin”- tha Arian Meroli, ekspert nga Rezerva e Biosferës Ndërkufitare
Maqedonia dhe Shqipëria, si shtete që menaxhojnë rajonin e Ohrit si trashëgimi kulturore dhe natyrore botërore, duhet ta dorëzojnë raportin në UNESCO për progresin e realizuar në zbatimin e aktiviteteve për mbrojtje. Por mbrojtësit e mjedisit zëshëm thonë se asgjë nuk është bërë që Ohri të mos jetë në listën e zonave të rrezikuara. Vazhdon urbanizimi i pakontrolluar, objektet e egra nuk janë larguar dhe nuk bëhet kujdes për mbrojtjen e liqenit të Ohrit.
