Ejmi Koni Baret me shumë gjasa do të bëhet anëtarja e re e përjetshme e Gjykatës Supreme të SHBA-së. Ajo u mbështet sot nga Komiteti i Drejtësisë së Senatit të SHBA-së.
Baret u mbështet nga të gjithë 12 republikanët, anëtarë të komitetit, ndërsa demokratët, të cilët numërojnë dhjetë anëtarë, e bojkotuan procesin dhe kërkuan emërimin e një anëtari të ri të Gjykatës Supreme pas zgjedhjeve presidenciale. Hapi tjetër është përcaktimi i nominimit me votimin në Senat, ku shumica janë republikanë.
Çak Shumer, lider i Demokratëve në Senat, duke publikuar për bojkotin deklaroi se “procesi është një farsë që nga fillimi” dhe se “me pjesëmarrjen e tyre, demokratët nuk do t’i japin legjitimitet procesit”.
Shumer kujtoi një rast të ngjashëm në vitin 2016 kur në Gjykatën Supreme u hap vend për gjykatës. Ish-presidenti Barak Obama mandej e nominoi Merik Garlandin për atë post, por republikanët e bllokuan procesin me pretekstin që votuesit duhet të vendosnin se kush duhet të jetë gjykatësi suprem.
“Kur Merik Garland u nominua tetë muaj para zgjedhjeve, na duhej t’i prisnim zgjedhjet. Tani që zgjedhjet janë duke ndodhur, jemi duke nxituar me procesin e nominimit. Ky është një nga momentet më të këqija në historinë e Senatit”, deklaroi Shumer.
Duke e komentuar bojkotin e demokratëve, udhëheqësi i komitetit, Lindzi Grem, deklaroi se “ne nuk do t’i lejojmë të udhëheqin me komitetin”.
Përpara votimit, Grem deklaroi se “ishte një moment historik për Konservatorët”.
Në rast të konfirmimit të nominimit, Partia Republikane do të fitojë një shumicë të padiskutueshme në Gjykatën Supreme, ku konservatorët do të kenë gjashtë përfaqësues kundrejt tre demokratëve.
