Komisioni sot pritet të diskutojë për masa shtesë kundër coronavirusit

TË FUNDIT

Zyrtarët shëndetësorë besojnë se masat në fuqi, të prezantuara më parë, do të fillojnë të funksionojnë. Ata presin që mbajtja e detyrueshme e maskave jashtë, ndalimi i grupimit të më shumë se katër personave gjatë gjithë ditës, si dhe funksionimi i kafeneve, restoranteve dhe ambienteve të tjera hotelierike deri në orën 21:00 të japin rezultate në drejtim të zvogëlimit të transmetimit të virusit.

Sidoqoftë, siç thonë ata, Komisioni për Sëmundjet Infektive në takimin e sotëm të rregullt, do të ri-analizojë pamjen epidemiologjike dhe përfundimisht do të vendosë nëse Maqedonisë i duhen masa më të rrepta kufizuese. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha të enjten se do të duheshin të paktën dy javë për të parë disa rezultate nga masat aktuale. Sidoqoftë, ai nuk e përjashton mundësinë e masave më të rrepta kufizuese.

“Komisioni monitoron situatën epidemiologjike dhe nëse është e nevojshme pas fundjavës do të rekomandojë masa shtesë kufizuese, siç janë mbyllja e plotë e disa operatorëve ekonomikë dhe kufizimi i lëvizjes qoftë gjatë ditës, pasdite apo gjatë fundjavës”, tha Ministri Filipçe.