“Komisioni i Historisë me Bullgarinë të mos ekzistojë”/ Cërvenkovski: Marrëveshja me Bullgarinë hapi kutinë e Pandorës

TË FUNDIT

Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, nuk mbylli asnjë çështje të hapur, përkundrazi hapi kutinë e Pandorës dhe krijoi bazë për një seri kërkesash nga Sofja, vlerëson ish-presidenti Branko Cërvenkovski.  Duke debatuar mbi sfidat e politikës së jashtme të vendit, Cërvenkovski theksoi se krijimi i Komisionit historik me Bullgarinë që të arbitron për ngjarjet historike ishte gabim i madh.

 “Teza e cila plasohej në opinionin publik se për identitetin kombëtar nuk negociojmë, ndërsa për historinë do të merremi vesh, në vet thelbin e saj është absurde. Identiteti i gjithsecilit është rezultat i proceseve historike që mbështetet në përkufizime historike, ngjarje dhe personalitete. Nëse ato përkufizime historike ju merren dhe shpallen si të huaja nga identiteti kombëtar nuk mbetet asgjë përveçse retorikë boshe. Libër me kopertinë dhe fleta të bardha”- deklaroi Branko Cërvenkovski, ish-president.

Sipas tij, zgjidhja e vetme e çështjeve historike është që secila palë të ketë të drejtën e qëndrimit të vet historik dhe kjo të mos jetë pengesë në raportet dypalëshe dhe shumëpalëshe. Edhe për ish-ambasadoren Eleonora Petrova, Komisionit historik duhet ose të mos ekzistojë ose gjithkush të ketë mendimin dhe qëndrimin e vet për problemet e caktuara gjatë historisë.

 “Historia nuk duhet të jetë mjet i politikës. Ajo duhet të jetë e pavarur dhe sovrane, duhet t’u lihet shkencëtarëve dhe të mos keqpërdoret, siç është rasti tani me Maqedoninë. Nuk guxon të jetë kusht për të ardhmen tonë dhe për progresin tonë. Bashkimi Evropian nuk guxon të lejojë që të kthehen gjithmonë në histori kur duhet të na vendoset ndonjë pengesë”- pohoi Eleonora Petrova, ish-ambasadore.

Është e saktë se nëpërmjet historisë nuk mund të zgjidhen çështjet, thekson diplomati Nano Ruzhin, por sipas tij nuk bëhet fjalë për historinë, por bëhet fjalë për ndikim të butë ose “soft pauer” të Bullgarisë ndaj Maqedonisë.

 “Erdhi koha e pushtimit nëpërmjet asaj që quhet ndikim i butë “soft power”. Problemi me Bullgarinë është se “soft power” i Bullgarisë praktikisht është kuptimi i një forme jo bashkëkohore të kësaj paradigme, përkatësisht mendojnë se me një lloj ndikimi hibrid ndaj historisë dhe dimensioneve të tjera duan që ta përforcojnë ndikimin ndaj shtetit”- tha Nano Ruzhin, ish-ambasador.

Këto deklarata ish-ambasadorët i thanë në debatin e organizuar nga Këshilli i ambasadorëve të Maqedonisë për sfidat e vendit në politikën e jashtme. Diplomatët u shprehën pesimistë se Maqedonia e Veriut do të marrë datë për hapjen e negociatave në samitin e qershorit.