Komisioni Evropian dhe Austria do të shpallin sot përmbylljen e marrëveshjeve për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 për Ballkanin Perëndimor.
651.000 doza të BioNTech / Pfizer financohen nga Komisioni Evropian dhe do të ndahen me lehtësimin e Austrisë. Dërgesa e parë për të gjithë partnerët në rajon pritet të bëhet në maj, kurse pjesa tjetër do të dërgohet rregullisht deri në muajin gusht.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha: “është thelbësore që të përshpejtohen fushatat e vaksinimit kudo. Jam e lumtur të njoftoj se kemi siguruar doza për të ndihmuar vaksinimin e punonjësve mjeksor dhe grupeve të tjera vulnerabël në Ballkanin Perendimor. Bashkimi Evropian qëndron pranë partnerëve tanë në rajon, të cilët kanë kërkuar nga ne mbështetje. Dua ta falënderoj Austrinë për lehtësimin e këtij transferimi, duke treguar kështu përkushtimin dhe solidaritetin e saj të fuqishëm me Ballkanin Perëndimor”.
Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Olivér Várhelyi, shtoi: “Pavarësisht nga mungesa aktuale globale, BE-ja do të japë vaksina për të shpëtuar jetë për Ballkanin Perëndimor. Ne kemi ofruar mbështetje që nga fillimi i pandemisë me COVID19: Së pari, me pajisje mjekësore urgjente si maska, ventilator, njësi të kujdesit intensiv dhe automjete të ndihmës së shpejtë; së dyti, duke forcuar qëndrueshmërinë. Tani, ne do të ndihmojmë në sigurimin e vaksinimit të të gjithë punonjësve mjekësorë në të gjithë rajonin, si dhe disa prej grupeve të tjera vulnerabël. Ne kujdesemi për Ballkanin Perëndimor, e ardhmja e të cilit është në Bashkimin Evropian”.
Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, theksoi: “është një prioritet kryesor që vaksinat kundër COVID-19 të vihen në dispozicion shpejt dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse për njerëzit në të gjithë Evropën. Në këtë kontekst, mbështetja e Ballkanit Perëndimor për të marrë vaksina është një akt solidariteti evropian dhe një investim në shëndetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit. Mbi të gjitha, vendet e zbrazëta në hartën e vaksinimit, kudo që të jenë, paraqesin rrezik për të gjithë ne. Askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”.
Austria ka lehtësuar ndarjen e këtyre vaksinave përmes marrëveshjeve ligjore me prodhuesin dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor. Dozat financohen nga paketa në vlerë prej 70 milion EUR e miratuar nga Komisioni në Dhjetor të vitit 2020 për të ndihmuar në mbulimin e kostos së vaksinave, të siguruara në bazë të marrëveshjeve të blerjes me paradhënie të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor. Shpërndarja e përgjithshme midis vendeve do të bazohet në nevojat epidemiologjike, duke i dhënë përparësi punonjësve mjekësorë që janë në linjën e parë dhe grupeve të tjera vulnerabël.
