Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Guglielmo Luigi Miglietta, i cili dje mori detyrën, sot priti komandantin e EUFOR-it, gjeneralmajorin Johann Luif, në Kampin “Film City”, shtabin e NATO/KFOR-it në Prishtinë.
“Gjatë vizitës, gjenerali Luif, i cili në vitin 2011 ishte zëvendëskomandant i KFOR-it, përgëzoi gjeneralin Miglietta me rastin e emërimit prestigjioz si komandanti i njëzetë i KFOR-it. Të dy komandantët diskutuan gjendjen socio-politike në Bosnje e Hercegovinë dhe kërcënimet e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor.
Vizita është pjesë e takimeve të udhëheqësve kryesorë, që mbahet rregullisht nga komandanti i KFOR-it me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë autoritetet politike, ushtarake dhe civile në Kosovë dhe në Ballkan, me qëllim të ndarjes së informatave dhe harmonizimit të politikave që synon përforcimin e paqes dhe sigurisë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
