Kodra e Diellit në duart e Qeverisë! Sulejmani: Qeveria të mos manipulojë me koncesionerin

TË FUNDIT

Vendimin e Qeverisë që  Elem Turs  të ndahet nga SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut dhe më pas të fillojë procedura për  kalimin e Kodrës së Diellit në partneritet  publiko privat e kanë përshëndetur nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”. Nga atje thonë se kjo edhe ka qenë kërkesa e tyre e parë  që nga dalja e skenë. Por Hamdi Sulejmani thotë se ata do të ndjekin e gjithë procedurën, pasi që kompania e cila do të zgjidhet duhet të jetë kompani që menaxhon Qendra Turistike dhe jo ndonjë kompani që paraqitet si e huaj, a në realitete prapa saj qëndrojnë politikan apo persona të afërt me politikën.

“Koncesioneri duhet të ketë dy apo tre referenca që punon në Ballkan apo në Evropë prandaj edhe ne si iniciativë kemi kërkuar pjesëmarrjen në ato komisione  që të shihet mirë se si të përgatitet edhe dokumentacioni për koncesionimin. Cilët do të jenë kriteret për të konkurruar koncesionerët dhe nuk do të lejomë në asnjë mënyrë që të konkurrojnë  vetëm me emra apo kompani  nga jashtë  edhe pas shpine tu qëndrojnë  njerëz biznesmen apo politikan  nga vendi apo rajoni”, tha Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Sipas Sulejamnit, që Qeveria të ketë sukses do të duhet që fillimisht të ndërtojë  teleferikun Tetovë – Kodra e Diellit pasi, siç thotë, kështu edhe më lehtë do të mund  edhe të tërheqin investitor të huaj.

“Një ditë e më herët ata të fillojnë me procedurën e dokumentacionit  teknik, është më mirë edhe për ata pasi që nesër do të kenë  një bazë më të fortë për të ofruar në koncesion. Teleferiku është edhe elementi kryesor që të  zgjedh problemin e Kodrës së Diellit”, shtoi Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Kolonat e  gjatë në Kodrën e diellit për shkak mos pasjes së parkingjeve dhe mos-investimi me  vite të tëra, bëri  që aktivistët  vazhdimisht të protestojnë  për këto çështje.  Partitë politike vite me radhe janë zotuar se Kodra e Diellit do  të jetë pikë turistike, ndër më të njohurat në Evropë, por gjatë ditës së djeshme Qeveria solli vendim që Kodra e diellit t’i hiqet nga duart Elem Tursit.