Ndonëse ndryshimet në Kodin Penal kanë kaluar të gjitha fazat, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari thotë se ende nuk e di nëse këto ndryshime janë bërë me qëllim harmonozimin e legjislacionit tonë me atë BE-në apo prapa këtyre ndryshimeve fshihet diçka tjetër. Shtoi se pret nga ministri i Drejtësisë që vjen nga radhët e ASH-së, Krenar Lloga, që para organeve partiake ta elaborojë dhe ta shqyrtojnë ligjin dhe të marrin vendime se çka për më tutje.
“Unë nuk di vetëm një gjë, a janë këto ndryshime në përputhje me ligjet europiane, apo është diçka e jashtëzakonshme apo speciale. Nëse është diçka e jashtëzakonshme, jo në përputhje me ligjet evropiane atëherë duhet të ulemi dhe të bashkëbisedojmë e të vendosim si vazhdojmë më tutje, pasi kështu nuk mund të funksionojë shteti i së drejtës. Ne atëherë praktikisht bëjmë gjëra që ndihmojnë kriminelët që të mbijetojnë, e madje të krijohet edhe një numër më i madh i tyre”, pohoi Arben Taravari, kryetari i Aleancës për Shqiptarët.
Megjithatë Taravari mendon se ndryshimet e bëra nuk do ta ndihmonin ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, ashtu siç deklarojnë ekspertët.
“Nuk besoj se këto ndryshime do ta ndihmonin zotin Gruevski pasi ai ka shumë lëndë për të cilat akuzohet, në mos gaboj ka afro 9 lëndë, dhe se besoj se ndryshimi i Kodit Penal, sipas mendimit tim, do ta ndihmonte zotin Gruevski që të kthehej në Maqedoninë e Veriut, them mendimi im si laik i kësaj lëmie”, deklaroi Arben Taravari, kryetari i Aleancës për Shqiptarët.
Taravari në Zërin e Amerikës foli dhe për ndryshimet kushtetuese, për të cilat tha se tash për tash nuk ka ndonjë sinjal se ka numra për të bërë ndryshimet e duhura.