Edhe VMRO-DPMNE edhe Aleanca për Shqiptarët thonë se janë në rrugë të mirë drejt finalizimit të një marrëveshje të mundshme për koalicion në zgjedhjet lokale, por as njëra dhe as tjetra nuk japin detaje. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski tha se presin të precizojnë disa punë e pastaj të dalin me detaje.
“Koalicionin mes Aleancës dhe Alternativës shpresoj që së shpejti do t’i kumtojmë detajet. Gjithashtu edhe për këtë do të kemi Komitet ekzekutiv ku do t’i precizojmë të gjitha këto punë dhe njëkohësisht po i lëmë kohë që të gjithë organet në të gjitha partitë të deklarohen e pastaj të bëjmë çfarëdolloj marrëveshje”, tha Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.
Nuk dihet nëse dy partitë do të ndihmohen edhe në rrethin e parë edhe në të dytin dhe as në cilat komuna, por sipas asaj që deklaroi Misajllkovski pritet që ASH t’i jap mbështetje VMRO-DPMNE-së për Qytetin e Shkupit.
“Po ky është qëllimi. Të shohim aty ku ne mund të ndihmojmë dhe aty ku ata mund të na ndihmojnë. Nuk është vetëm ASH dhe AAA në koalicion do të bashkëngjiten edhe shumë parti, ndoshta janë të vogla por do të marrin pjesë dhe do ta ndihmojnë VMRO-DPMNE-në në këto zgjedhje”, shtoi Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.
Sekretari gjeneral i ASH-së, Arben Taravari, dje tha se për Shkupin ende nuk kanë ndonjë qëndrim, por qëllimi i koalicionit është që të ndihmohen në komunat ku kanë nevojë të tre partitë.
“Për Shkupin ende nuk kemi ndonjë qëndrim, megjithatë nëse bëhet bashkëpunim, kuptohet se ai bashkëpunim do të bëhet për shumicën e komunave ku ne si parti politike kemi interes, do të thotë bashkë Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe VMRO-DPMNE-ja”, u shpreh Sekretari Gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
E koalicionin e mundshëm trepalësh e ka komentuar Lëvizja Besa. Në një status në Facebook, Fadil Zendeli ka shkruar se në mes koalicioni Besa- LSDM dhe ASH-AAA dhe VMRO-DPMNE ka një dallim.
“Partitë politike si BDI apo ASH, po nxitojnë nëpër dyert e partive maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE që të sigurojnë mandatet për komunat. Dallimi mes neve dhe atyre qëndron në atë se veprimet e Lëvizjes BESA kanë për qëllimin të sigurojnë të ardhme më të mirë për shtetin dhe qytetarët, ndërsa veprimet e partive BDI dhe ASH kanë për qëllim vetëm interesat e tyre të ngushta partiake dhe klanore”, deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
VMRO-DPMNE sot shpalli edhe pjesën e dytë të kandidatëve për kryetar komunash, ndërsa për Qytetin e Shkupit ende po kalkulojnë. Thonë se po bëjnë anketë shtesë për të parë se si qëndrojnë kandidatët, ndërsa shpresojnë se deri në fund të muajit ose në fillim të muajit shtator do ta kenë emrin e kandidatit.
