Koalicionet, ende s’ka marrëveshje finale! VMRO-DPMNE: LSDM po i lutet BDI-së për bashkëpunim

TË FUNDIT

Kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, thotë se ende nuk ka një marrëveshje finale për koalicion parazgjedhor, mirëpo siç shton, po zhvillohen bisedime për krijimin e një koalicioni mes partive të ndajnë vizion dhe vlera të njejta pro europiane.


“Për momentin ende nuk ekziston një marrëveshje finale. Gjë që është normale sepse ndodhemi në moment ku ende nuk janë shpallur zgjedhjet. Mirëpo ka bisedime me qëllim të krijimit të koalicionit të partive politike të cilat kanë vlera të njejta, të cilat ndanë vizion të njejtë për shtetin. Ajo është Maqedonia e Veriut anëtare e BE-së, kundrejt partive politike të cilat ofrojnë zgjidhje alternative të cilat as që i spjegojnë dhe askush nuk i kupton sepse nuk i ka parë askush”, tha Dimitar Kovaçevski – ish-kryeministër.

Nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM po e lutë BDI-në për lista të përbashkëta në zgjedhje dhe për t’ua mbështetur Stevo Pendarovskin si kandidat për president.


“LSD si dhuratë ia dha Maqedoninë BDI-së, Ali Ahmetit dhe Talat Xhaferit, me qëllim për të shpëtuar kolltuqet, që të vazhdojnë me krimin dhe korrupsionin e bënë Talat Xhaferin apo komandant Forinën kryeministër të Maqedonisë. Nënçmimeve të Kovaçevskit për dëshirë për pushtet nuk u vjen fundi. Ai e lutë komandant Forinën dhe Ahmetin t’ia mbështesin Stevo Pendarovskin dhe të kenë lista të përbashkëta”, pohoi Mile Lefkov – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Për momentin të dy partitë politike BDI dhe LSDM kanë hapur thirrje për t’iu bashkangjitur frontit europian, mirëpo duke mos saktësuar nëse ky front është i përbashkët para zgjedhjeve apo bashkëpunimi si koalicion do të ndodhë pas zgjedhjeve.