Koalicionet e mundshme për Qeverinë e re, BDI e vendosur për realizimin e idesë për kryeministrin shqiptar!

TË FUNDIT

LSDM doli e para në zgjedhjet e 15 korrikut me gjithsej 46 mandate deputetësh, ndërsa lideri i saj Zoran Zaev si mandatar do të duhet të formojë Qeverinë e re. Zaevit do t’i duhen edhe 15 deputetë, aq sa ka BDI, por nga partia e Ahmetit janë të vendosur se marrëveshja mund të arrihet vetëm me realizimin e idesë për kryeministrin shqiptar.

“Kemi bërë  bashkë reforma shumë të mëdha e të vështira dhe qytetarët na shpërblyen dhe ne gjithsesi jemi të hapur që të vazhdojmë me bashkëpunimin me LSDM-në me Naser Ziberin si kryeministër shqiptar”, deklaroi Grubi.

Por lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev, negociatat për formimin e Qeverisë i ka lënë të zhvillohen pas festës së Ilindenit.

E Arjanit Hoxha nga koalicioni “Mundemi” në një prononcim për TV21 tha se pa u certifikuar zgjedhjet është herët të flitet për koalicione të mundshme.

“Lëvizja Besa ka bërë diferencën dhe kjo shihet në zonën numër 6 përmes mandatave ndaj VMRO-DPMNE-së dhe kjo na jep komoditetin që normalisht në kuadër të kohës që do të na jepen në dispozicion pas certifikimit të zgjedhjeve të vendosim bashkërisht me partnerin e koalicionit për çështjen e koalicionimeve”, deklaroi Hoxha.

Edhe nga koalicioni ASH-AAA thonë se njëherë po i presin rezultatet e certifikuara nga KSHZ, por thonë se platforma e tyre më lehtë mund të harmonizohet me LSDM-në.

“Ne presim që njëherë të përfundojë procesi zgjedhor deri në fund të definohen mandatet tona dhe momentin që definohen mandatet, ne do të ulemi të bisedojmë me të gjithë ata që janë të gatshëm të përkrahin platformën tonë që në këtë rast konsiderojmë se më e afërt është LSDM se sa VMRO”, deklaroi Zejd-Rexhepi.

I gatshëm për të biseduar me BDI-në dhe partitë e tjera, është edhe kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

 “Unë këto ditë në mënyrë shume decide dhe eksplicite kam thënë se jam i gatshëm për të biseduar, sepse kredibiliteti që bartë VMRO-DPMNE-ja në këto zgjedhje është më i madh, por ajo për të cilën nuk jam i gatshëm të bisedoj është kjo që përmendni ju, sepse unë nuk punoj nën diktat”, tha Mickoski.

Ndërkohë që analisti politik Kërzhallovski thotë se ka katër skenarë të mundshëm për formimin e Qeverisë, por skenari më i realizueshëm është që LSDM-ja dhe BDI-ja, të cilët deri tani ishin në koalicion, ta formojnë Qeverinë e re.

“BDI nuk do të heqë dorë lehtë nga ideja për kryeministër shqiptar, por në llogari të kësaj do të ketë shumë kushte dhe kërkesa të tjera. Kështu që periudha në vijim do të jetë interesante, por mendoj se pikërisht LSDM dhe BDI do të fillojnë negociatat fillestare për përbërjen e Qeverisë së re. Nëse kjo nuk arrihet, opsion tjetër është LSDM me Aleancën, që me shumë gjasa shpejtë do të dakordohen, por u mungojnë edhe 3 vota që mund t’i sigurojnë me “Të Majtën” dhe PDSH-në. Por, kjo është strukturë më e komplikuar dhe ka indikacione të qarta se jo të gjithë duan kombinim të tillë”, deklaroi Aleksandër Kërzhallovski, analist politik.

Sipas rezultateve të deri tanishme të KSHZ, koalicioni Mundemi ka 46 mandate deputetësh, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, koalicioni “Tash është koha” 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 mandat deputetësh.