Kirurgët e “8 Shtatorit” paralajmërojnë protesta, mungojnë sallat për operacione, u shndërruan në dhoma Covid

TË FUNDIT

Kirurgët e Spitalit të përgjithshëm “8 Shtatori” nga e hëna paralajmërojnë protesta. Kjo për shkak të mungesës së kapaciteteve të sallat e operacioneve. Nga gjithsej 6 salla, katër prej tyre janë shndërruar në dhoma ku trajtohen pacientët e infektuar me virusin korona. Në ditë funksionojnë vetëm 2 salla, thonë ata. Andaj përmes një letre dërguar Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, informojnë se nga e hëna nuk do të kryejnë operacione, përveç ndërhyrjeve tek pacientët që u rrezikohet jeta.


“Kërkojmë që të mundësohen kushte për spitalin që i njëjti të mund të ju ofrojë mbrojtje kirurgjike shëndetësore një numri të madh të pacientëve, sëmundjet e të cilëve nuk zhdukën për shkak të pandemisë. Nga ana e të punësuarve janë ofruar disa zgjidhje për riorganizim të punës se si do të ishte arritur efikasitet më i madh, por të njëjtat nuk kanë arritur deri tek drejtori ose i njëjti nuk i zbaton dhe nuk propozon zgjidhje të tjera”, thonë nga kolektivit i kirurgëve në Spitalin “8 Shtatori”.

Kirurgët shtojnë se pacientët që nuk e kanë gjendjen kritike nuk mund as të marrin termin për intervenim kirurgjik për shkak të mungesës së sallave për operim.

Pas paralajmërimeve për protesta reagoi drejtori i Spitalit “8 Shtatori”, Hristijan Kostov. Shpjegon se gjithkund në botë ka reduktim të kapaciteteve dhe personelit mjekësor për shkak të trajtimit të pacientëve me Covid-19. Shton se nuk ka numër të mjaftueshëm të anesteziologëve dhe për këtë arsye sallat e operimit nuk punojnë me kapacitet të plotë.

“Sipas numrit të anesteziologëve, duke marrë parasysh edhe numrin e mungesave të arsyetuara, për shkak të sëmundjeve, angazhimin e tyre në Qendrat Covid, reduktimin e reparteve kirurgjike dhe rritjen e kapaciteteve të reparteve për trajtim të pacientëve me Covid, në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë në të cilët është i nevojshëm personel më i madh mjekësor, theks të veçantë i është vendosur pacientëve të cilëve anulimi i ndërhyrjeve do t’ua rrezikonte jetën dhe këto intervenime po zhvillohen pa pengesa”, tha drejtori i Spitalit “8 Shtatori”, Hristijan Kostov.

Kostov përfundon se kolegët e tij do të trajtojnë pacientë me Covid dhe do të qëndrojnë në këtë proces deri sa të krijohen kushte për punë të plotë të kolektivit kirurgjik.