Kinë, zbulohet një shtëpi prehistorike me “ajër të kondicionuar”

TË FUNDIT

Një ekip arkeologësh zbuloi në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme, në Kinën veriore, një shtëpi prej guri, që daton nga Epoka e Bronzit, e ndërtuar në mënyrë të tillë për të garantuar rregullimin e temperaturës, raporton “Xinhua”.

Instituti për Zbulimet Kulturore dhe Arkeologjike raportoi se rezidenca e lashtë, në vendin e rrënojave Xiaotangshan, karakterizohet nga një strukturë e tillë që i mundësonte ndërtesës të ishte e freskët në verë dhe e ngrohtë në dimër.

Lian Jilin, një studiues në institut, shpjegoi se shtëpia përbëhet nga tre mure rrethore prej guri, me rreth një metër distancë nga njëra-tjetra, dhe me mure ndarëse qendrore për të drejtuar rrymat e ajrit. Zona e brendshme rrethore ishte ndërtuar rreth një metër nën tokë dhe ndihmonte në rregullimin e temperaturës së brendshme.

Lian specifikoi se është hera e parë që një strukturë arkitekturore e këtij lloji është zbuluar në Kinë, të cilën ai e përcaktoi si një “shtëpi me ajër të kondicionuar”.

Vendi i rrënojave Xiaotangshan është pjesë e kulturës Xiajiadian e Nivelit të Ulët, një degë e kulturës veriore, rreth 3500-4000-vjeçare, që korrespondon me dinastitë Xia dhe Shang. Ekspertët besojnë se kjo zonë e Epokës së Bronzit mburrej gjithashtu për teknologji të përparuar të përpunimit të metaleve.