I dënuari dhe i burgosuri, Zoran Mileski – Kiçeec kthehet përsëri në Burgun e Strugës për të vuajtur dënimin prej 3 vitesh. Vendimin e ka dhënë Gjykata Themelore e Gostivarit, duke ja shfuqizuar masën e paraburgimit 30 ditor që i është shqiptuar për aksidentin e shkaktuar një javë më parë në rrugën Kërçovë-Gostivar.
“Është vepruar ndaj ankesës së mbrojtjes së të dyshuarit dhe theksojmë se vendimi është sjellë në orar të punës dhe sipas afateve ligjore për vendosje mbi ankesën prej 48 orësh. Kiçeec është i dyshuar se ka shkaktuar aksident trafiku të shtunën e kaluar, në të cilin vdiq një 34-vjeçar nga Gostivari”, njoftuan nga Gjykata Themelore e Gostivarit.
Se si është e mundur të shqiptohet masa e paraburgimit për dikë që tashmë është i burgosur dhe i dënuar, duket absurde edhe për të parin e shtetit, Stevo Pendarovski. Ai në emisionin “360 shkallë” shprehet i habitur me vendimin e Prokurorisë.
“Edhe si jurist me të vërtetë nuk munda ta kuptoj se si është e mundur që një njeriu që është në burg, pra duhet të vuaj dënimin me burg, i shqiptohet masa e paraburgimit. Njeriu që është në burg duhet të kthehet në burg. Paraburgimi është masë për të siguruar personin që të mos i bëj ato tre vepra. Ai është në burg! Nuk mund ta dërgosh në paraburgim”, tha Pendarovski.
Presidenti Pendarovski thotë po ashtu nuk e ka dëgjuar askund në botë që një i burgosur të bëj aksident jashtë burgut.
“Nuk kam dëgjuar dhe as lexuar ndokund ndonjë lajm në cilëndo media në botë se njeriu që është në burg ka bërë aksident trafiku. Së paku të voziste furgonin e burgut, do të thoshim po bëka punë në atë pozitë. Përveç kësaj, kishte qenë edhe me dy shtetas të huaj, kjo veçanërisht më intereson. Mos ndoshta ndonjëri nga ata ka shtetësi të dyfishtë, maqedonase dhe tjetër. Kjo do të ishte interesante, por t’ia lëmë hetimit të tregojë”, shtoi ai.
Sipas Pendarovskit shumë gjëra duhet të hetohen dhe sqarohen në situatën e Kiçeec, e mes tyre edhe kumtesat që janë lëshuar nga institucione zyrtare. Sipas tij nuk dihet se cila është e besueshme, kumtesa që thotë se ka dokument me leje lirimi 30 ditore për shkak probleme shëndetësore ose kumtesa se nëna e tij ka pasur probleme shëndetësore. Përndryshe, Kiçeec duhet të vuaj dënimin me burg prej 3 vjetësh për rastin “Reket”.
