Këtë verë Maqedonia nuk pret mysafirë, Filipçe: Masat për PCR test nuk do të hiqen nga kufijtë

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut nuk e ka ndërmend të heqë ndalesën për ardhjen e fqinjëve në vendin tonë. Qytetarët nga Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, detyrimisht duhet të dorëzojnë test PCR, jo më të vjetër se 72 orë për të hyrë në vendin tonë. U përfol që KSI do të zhvillojë takim këtë fundjavë për të diskutuar heqjen e kësaj mase kufizuese. Mirëpo Ministri i Shëndetsisë Venko Filipçe për TV21 thotë se nëpër pikat kufitare ngelet regjimi i njëjtë.

 “Vazhdon regjimi i njëjtë, do të kërkohen teste. Situata epidemiologjike në vendet e rajonit e imponon këtë”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Nëse dikur kishte kolona të gjata, sot ditë vikendi, pak makina po shihen duke kaluar në vendkalimet kufitare “Bllacë” dhe “Tabanoc”.

Edhe shtetasit e RMV nuk mund të vizitojnë shtetet përreth, përveç Shqipërisë. Për të shkuar në Kosovë dhe Serbi duhet test PCR, ndërkaq në Greqia për të disatën herë e ka shtyrë afatin e hapjes së kufijve me vendin tone. Qytetarët tanë nuk mund të udhëtojnë as në Bullgari.

Përndryshe Maqedonia e Veriut hapi kufijtë pa masa kundrejt shteteve fqinje me 25 qershor, ndërsa i mbylli vetëm pas dy javësh, apo me 8 korrik.

Sa i përket situatës me Covid-19, e cila është arsyeja e këtyre restriksioneve, më shumë të infektuar ka në vendin tonë. Me 4.641 pacientë në një milion banorë jemi në krye të listës së vendeve të rajonit. Vendin e dytë e zë Kosova me 3.010 të infektuar, kurse pastaj vijojnë Serbia, Shqipëria, Bullgaria dhe Greqia me numër më të vogël të rasteve të regjistruar – vetëm 394 në një milion banorë.

Përveç qytetarëve që kanë familjarë nëpër vende fqinje, kundër masave kufizuese janë edhe bizneset, të cilat po përballen me pasoja të rënda për shkak të pandemisë.