Gjatë kësaj jave përsëri do të evakuohen qytetarë nga Maqedonia nga vendet e Lindjes së Mesme, pasi dje 151 persona u transferuan në vend, përfshirë edhe shtetas të huaj. Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski informoi se aktualisht në Dubai ndodhen edhe 430 qytetarë nga Maqedonia dhe një fluturim i veçantë do të organizohet edhe nga vendet e tjera. Prioritet, tha ai, kanë nënat me fëmijë, si dhe ata që nuk kanë qëndrim të përhershëm atje, domethënë ata që kanë qenë turistë.
“Aktualisht në këtë vend janë regjistruar edhe rreth 430 qytetarë nga Maqedonia, dhe gjatë kësaj jave nga Dubai janë planifikuar edhe dy fluturime. Në Doha janë regjistruar 162 persona, prej të cilëve 89 kanë shprehur gatishmëri për evakuim. Në Kuvajt janë regjistruar 36 persona, në Bahrein 15 dhe në Mbretërinë e Arabisë Saudite 5 persona. Për ta është parashikuar transport i organizuar drejt Riadit si pikë qendrore për mbledhje, pas së cilës gjatë kësaj jave do të ndodhë fluturimi direkt”, tha Timço Mucunski, Ministër i Punëve të Jashtme.
Mucunski vuri në dukje se rreth 14 persona që duheshin të vinin me fluturimin e djeshëm nuk u paraqitën në aeroport. Për të shfrytëzuar kapacitetin e plotë të fluturimit, në momentin e fundit përmes përfaqësisë konsullore u thirrën qytetarë të tjerë nga Maqedonia që prisnin transferimin e tyre në vend.
“Kjo është një qasje e pa përgjegjshme, para së gjithash sepse bëhet fjalë për sigurinë e qytetarëve, ka qytetarë të tjerë që presin. Prandaj bëj apel që të gjithë qytetarët tanë që kërkojnë evakuim dhe deri tani nuk na kanë kontaktuar, ta bëjnë këtë sa më shpejt tek përfaqësitë tona diplomatiko-konsullore, dhe nëse dikush ndryshon mendje dhe vendos të qëndrojë në ato vende, kjo është e drejtë legjitime, por duhet të na njoftojë me kohë”, u shpreh Timço Mucunski, Ministër i Punëve të Jashtme.
Dje në aeroportin e Shkupit mbërriti grupi i qytetarëve të evakuuar nga Dubai, disa prej tyre ishin në vizitë turistike.
“Ishim në një vizitë njëjavore, dhe situata filloi që në ditën e parë kur mbërritëm. Ishte mjaft e sigurt atje, por natyrisht e pakëndshme, sidomos kur je në vizitë turistike me fëmijë.”
“Planifikuam të qëndronim ca kohë në Abu Dhabi dhe ndërkohë filloi bombardimi dhe të gjitha ngjarjet që po ndodhnin. U organizuam përmes ambasadës, i kontaktuam në ambasadë, na regjistruan dhe na pyetën për fluturimin e organizuar, dhe kështu tani jemi të lumtur që arritëm këtu.”
“Ishim në Dubai të vendosur pranë marinës. Situata ishte e rrezikshme, mendoj se për ata që nuk janë mësuar me këtë ishte edhe më e vështirë.”
Transportimi i qytetarëve nga zonat krizë në Lindjen e Mesme, siç informoi ministri Mucunski, është falas, sepse siç theksoi, në këto situata institucionet kanë detyrimin të ndihmojnë.
