Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar një rezolutë në mbrojtje të planit të paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Gazën. Trembëdhjetë nga 15 anëtarët votuan në favor të rezolutës, e cila, ndër të tjera, bën thirrje për një forcë trupash ndërkombëtare për të stabilizuar armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit.
Projektrezoluta përmend gjithashtu një shtet të mundshëm palestinez në të ardhmen. Hamasi e ka hedhur poshtë miratimin e rezolutës në KS.
Projektrezoluta u paraqit nga SHBA-të dhe disa shtete të tjera, përfshirë ndërmjetësuesit në Gaza, Katarin dhe Egjiptin. Rusia dhe Kina abstenuan nga votimi. Para votimit dukej sikur rezoluta mund të dështonte. Rusia madje paraqiti edhe një projektrezolutë të saj, e cila, nuk u vu në votim. Prandaj miratimi i rezolutës është një sukses për KS, që ka demonstruar vazhdimisht përçarje të thella mbi këtë vitet e fundit.
Rezoluta “mbështet” planin e paqes të Trump, i cili çoi në një armëpushim ende të brishtë midis Izraelit dhe organizatës terroriste Hamas më 10 tetor. Ky plan përfshin, ndër të tjera, çarmatimin e Hamasit, një qeveri kalimtare të përbërë nga ekspertë palestinezë apolitikë dhe formimin e një këshilli paqeje.
Megjithatë, mbeten shumë pika mosmarrëveshjeje – duke përfshirë si çarmatimin e organizatës të Hamasit të kategorizuar si terroriste nga SHBA, Gjermania e vende të tjera, tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga territori dhe të ardhmen e Rripit të Gazës. Përpara miratimit të rezolutës, kishte pasur kritika nga Izraeli sepse ajo i referohej “një rruge të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”.
