Këshilli Gjyqësor e shkarkoi Naqe Georgievin! Mickoski: Defterët e së kaluarës u zëvendësuan me të Bihaçkës e Reçicës

TË FUNDIT

Naqe Georgiev, i cili dje mori vendimin e gjykatës me tre vjet burg për pranim ryshfeti, nuk është më gjykatës suprem, ka vendosur Këshilli Gjyqësor. Kryetarja e Këshillit, Vesna Dameva, tha se gjyqtarët e korruptuar nuk duhet të lejohen që të prishin dinjitetin e gjyqtarëve të tjerë dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë njohuri që t’i raportojnë rastet.

“Nëse i sanksionojmë të gjithë këtë, nuk do të lejojmë të qëndrojnë gjyqtarët e korruptuar që fundosin dhe shkelin gjyqësorin dhe do t’i detyrojmë me kokë të ulur, të turpëruar, nëse kanë ndonjë turp, të zëvendësojnë sallën e gjyqit në të cilën duhej të ndanin drejtësi, me burg”, tha Vesna Dameva – kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Gjykatësja Antoaneta Dimova edhe pse nuk komentoi me detaje, tha se nuk është e kënaqur me dënimin e shqiptuar ndaj gjykatësit suprem Naqe Georgiev.

“Unë besoj se gjyqtarët duhet të kenë dënime më të rrepta me ligj. Një gjykatës nga i cili pritet drejtësi, ne e dimë se cila ishte politika e ndëshkimit, ka policë të kapur me ryshfet, njerëz të tjerë dhe është mirë që është dënuar, por mendoj se ky dënim nuk është i përshtatshëm për atë që e ka bërë”, u shpreh Antoneta Dimova nga Këshillir Gjyqësor.

Lidhja ndërmjet sistemit gjykatë-prokuror është e qartë dhe disa defterë nga e kaluara janë zëvendësuar me defterë të tjerë nga Bihaçka dhe Reçica, tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar marrëveshjet e Prokurorisë me Ixhet Memetin dhe Naqe Georgievin. Ai tha se për herë të parë është vërtetuar se në Gjykatën Supreme ka pasur gjyqtarë të korruptuar para zgjedhjeve kur Ministria e Punëve të Brendshme e qeverisë teknike ka bërë hetim.

“Nëse keni gjyqtarë të korruptuar që janë në organin më të lartë, siç është Gjykata Supreme, atëherë mund ta paramendoni se çfarë po ndodh më poshtë. Më tej në hetim u konfirmua se nuk ka qenë vetëm gjyqtari suprem por edhe personi për të cilin ka marrëveshje edhe me prokurorinë, ai është Ixhet Memeti, nëse nuk gaboj si kryetar i Këshillit të prokurorëve publikë. Pra këtu është e qartë lidhja mes sistemit gjyqësor-prokuror në vendin tonë, prandaj edhe besimi është 2%, sepse disa defterë nga e kaluara janë zëvendësuar me defterë të tjera, vetëm që këto janë nga Strumica, Bihaçka dhe Reçica”, potencoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Kryeministri Mickoski paraprakisht paralajmëroi se do të kërkojë shpërbërje të Këshillit të gjykatësve dhe prokurorëve.