Sot dhe nesër mbahet këshill vjetor ministror i OSBE-së në të cilin pritet që vendet anëtare të arrijnë marrëveshje për përzgjedhjen e disa pozitave më të rëndësishme në këtë organizatë më të madhe rajonale të sigurisë.
Nga korriku e deri më tani përfaqësuesit e 57 vendeve anëtare nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshje për disa pozita udhëheqëse në OSBE.
Diplomatja gjermane Helga Shmid është favoritja kryesore për sekretare të re të përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), deklaroi ambasadori amerikan në atë organizatë ndërkombëtare Xhejms Gilmor.
Helga Shmid, (59), aktualisht është sekretare e përgjithshme e Shërbimit evropian për punë të jashtme (EEAS), e udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë Zhozep Borrell
Ambasadori Gilmor tha që Shmid është “shumë e njohur në botë dhe shumë e njohur në Uashington”.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Kairat Abdrahmanov më shumë përmendet si komisar i lartë i ardhshëm për pakicat kombëtare.
Kandidatja më e mundshme për pozicionin e përfaqësuesit të OSBE-së për lirinë e mediave është Maria Teresa Ribeiro, sekretare shtetërore për punë të jashtme në Qeverinë e Portugalisë dhe ish-drejtoreshë e Institutit portugez për komunikim dhe mediume.
Katër përfaqësues të lartë të OSBE-së u desh të tërhiqeshin nga funksioni në mes të korrikut pasi ata nuk u rizgjodhën, edhe pse rizgjedhja e tyre pritej të ishte një formalitet i pastër.
Në tentimin për ta mbushur vakumin në strukturat qeverisëse, anëtarët e OSBE u pajtuan në kërkesën e Rusisë që një nga funksionet kryesore në organizatë t’i përkasë një përfaqësuesi të njërit prej ish shteteve Sovjetike.
Deri më tani, politikanët perëndimorë janë përzgjedhur në pozicionet drejtuese në OSBE ndërsa Rusia dhe vendet e Azisë Qendrore tani më një kohë të gjatë pohojnë se për shkak të çekuilibrit ata janë shënjestër e marrëdhënies së padrejtë dhe kritikave të tepruara në sferën e të drejtave të njeriut.
Vendet perëndimore shpresojnë që pas koncesionit të Rusisë, OSBE-ja si kundërpërgjigje do të marrë më shumë mbështetje nga presidenti rus Vladimir Putin për të vazhduar të merret edhe me çështjet e qeverisjes së të drejtës dhe të drejtave të njeriut, që shpesh herë janë hasur në kundërshtim nga Moska.
Xhejms Gilmor theksoi se angazhimi diplomatik i OSBE-së në konfliktin në Nagorno-Karabah “e tregoi rëndësinë” e kësaj organizate, e cila, siç tha, është “forumi i vetëm ekzistues në të cilin të gjithë janë mbledhur”.
