Edhe më tej po kërkohet zgjidhje për çështjet e hapura me Bullgarinë pa e prekur identitetin dhe gjuhën maqedonase.
“Në fazë përfundimtare është harmonizimi i planit të vetëm aksionar me Republikën e Bullgarisë. Qeveria tërë kohën është e motivuar që përmes dialogut të gjenden pika të përbashkëta për çështjet e hapura. Ekspertët e ministrive të jashtme vazhdimisht janë në komunikim ndërsa ministri Osmani paralajmëroi qasje të re duke i lënë anash emocionet. Kjo paraqet nxitje shtesë të procesit”, deklaroi Dushko Arsovski zëdhënës i Qeverisë.
Profesori dhe këshilltar aktual në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Vllado Popovski mendon se maqedonasit kanë gjuhë dhe histori të veten dhe se nuk duhet të lëshohet pe në këtë aspekt.
“Pohimi në këtë bazë se ne jemi bullgarë, se gjuha jonë është bullgare, kjo nuk është e saktë. Edhe një gjë, se paskemi histori të përbashkët, më duhet të them se ky është argument i pabazë për shkak se ata thirren në Bullgarinë e shekullit të mesëm, kur mbreti Simeon ka mbretëruar në Maqedoni”, tha në emisionin Click Plus profesor Popovski.
Ministrja e jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva mendon se Bullgaria nuk e konteston identitetin maqedonas por kërkon vetëm zbatim të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.
“Nuk është e vërtetë se e kontestojmë identitetin tuaj. Kjo është gënjeshtër. Shumë herë kemi thënë dhe politikanët tuaj e dinë këtë gjë. Por është më lehtë që para opinionit tuaj publik dhe para politikanëve evropianë të prezantohet se Bullgaria e konteston identitetin. Mendoj se kjo çështje është e zgjidhur me aktine njohjes së pavarësisë suaj nga ana e Bullgarisë”, ka deklaruar nën ndërkohë Zaharieva.
Popovski shtoi se maqedonasit kanë histori të përbashkët me Bullgarinë, Serbinë, Bizantinë kur elementi grek ka dominuar për 2 shekuj, ndërsa me Turqinë thotë se kanë 5 shekuj histori të përbashkët.
“Më së shumti kemi jetuar me shqiptarët, nën pushtete të ndryshme dhe kemi histori të përbashkët dhe jemi pjesë e kësaj historie. Por ne jemi popull i veçantë me gjuhë të veçantë e cila në kornizë të gjuhëve sllave është ndër gjuhët serbe dhe bullgare, megjithatë është e veçantë dhe ka shumë burime”, vlerësoi Popovski.
Ministri i jashtëm Bujar Osmani dje tha se duhet t’i lëmë anash emocionet. Nga Qeveria edhe një herë apelojnë që të mos hyjmë në rrethin e ofendimeve, akuzave dhe gjuhës së urrejtjes që nuk do të sjellin asgjë të mirë, sidomos për popullin maqedonas dhe atë bullgar.
Vitin e kaluar Bullgaria vendosi veto ndaj kornizës negociuese për vendin tonë, ndërsa atëherë Zaharieva tha se “për shtet që themelohet mbi ideologji armiqësore ndaj Bullgarisë, nuk ka vend në BE”.
