Kërçovë, lagja Drugova e re e lënë pas dore, për Deharin ishte prioritet, por deri tani asgjë s’ka lëvizur

TË FUNDIT

Kërkesat e banorëve të Lagjes “Drugovë e re” në Kërçovë për infrastrukturë më të mirë, po hasin në vesh të shurdhur.

Edhe pse janë vetëm 2 km larg qytetit ata qarkullojnë nëpër rrugë me gurë, pa kanalizim dhe  pa ndriçim publik. Bëhet fjalë për 1 km rrugë e cila duhet të shtrohet.

Në muajin shkurt TV21 raportoi për këtë problem dhe nga komuna na thanë se është rrugë me prioritet dhe do të ndërtohet.

Banorët të revoltuar thonë se deri më tani askush nuk i ka vizituar . 

 “Ne lutemi që nga qeverisja lokale të vijnë të na vizitojnë dhe të na pyesin, çfarë duhet, çfarë duhet të ndërmarrim, po afrohen edhe zgjedhjet ne duhet të kemi vullnet për të marr pjesë në këto zgjedhje, dhe t’i japim votën atij që do të na vizitojë dhe shërbejë, pavarësisht nga cila parti politike është”, tha një banor.

 “E kemi të vështirë rruga është shumë e keqe, kanë dal gurët nga balta dhe shumë vështirë lëvizet me veturë. Pra shtëpia ime është bërë para 7 viteve. Kjo rrugë është e njëjtë as nuk është rregulluar nuk ka as asfalt, ndërsa vendi është i urbanizuar, i kemi paguar edhe tatimet komunale, i kemi paguar edhe lejet për ndërtimet e shtëpive”, shtoi një tjetër banor.

Banorët paguajnë edhe për ndriçimin publik, por ndriçim nuk kanë.

 “Ka 7, 8 vute që jetojmë këtu paguajmë për ndriçimin publik dhe nuk kemi ndriçim kur kemi shkuar në komunë më herët na kanë thënë, dilni në qytet atje keni ndriçim .  Ne ju themi ejani ju nga qyteti shihni këtu si është pa ndriçim si duket kjo lagje, të të them sinqerisht fëmijëve të vogël dhe të mëdhenjtë natën kanë frikë”, u shpreh një tjetër banor.

Kjo lagje nuk ka problem pronësoro juridike, të gjitha 50 shtëpitë janë të legalizuara dhe paguajnë tatimet komunale çdo herë.

Në ndërkohë Komuna e Kërçovës në këto muaj ka ndërtuar disa rrugë dhe rrugica nëpër fshatrat e Kërçovës, si në Zajaz, Berikovë, Prapadisht, Leshnicë, Shitovë, rruga në Lagjen 22 dhjetori, etj.