Krerët e lëvizjes qytetare ‘Ura’ të Dritan Abazoviqit, Në Mal të Zi kanë bërë të ditur se disponojnë informacione sipas të cilave një klan kriminal rajonal synon të rrezikojë jetën e liderit të tyre dhe të familjes së tij.
Drejtuesit e këtij koalicioni që përcaktoi fituesin në zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë thënë se nëse i ndodhë diçka përgjegjësinë për këtë do ta mbajë drejtori i policisë malazaze dhe udhëheqësit e sektorëve të sigurisë, transmeton Klan Maqedoni.
Krerët e partisë “URA”, në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi kanë deklaruar, dje, se posedojnë “informacion se një klan rajonal kriminal dëshiron të rrezikojë jetën e Dritan Abazoviqit dhe të familjes së tij”.
Zyrtar i saj, Zoran Mikiq, saktësoi se nga zgjedhjet e 30 gushtit Abazoviq ka marrë dhjetëra e dhjetëra kërcënime përmes rrjeteve sociale dhe telefonit, ndërsa ka pasur edhe tubime përpara shtëpisë së tij në Ulqin. Pa dhënë ndonjë hollësi më shumë, ai tërhoqi vërejtjen se fjala është për një “klan rajonal kriminal që aktivitetet e veta i ushtro jo vetëm në Mal të Zi, por edhe nëpër vendet e rajonit”, duke saktësuar se, sikurse njofton media në Podgoricë, nuk është fjala për klanet nga Mali i Zi.
Mikiq tha se kjo kishte qenë arsyeja që kanë kërkuar nga organet kompetente vlerësimin e sigurisë së liderit të tyre, por se deri tani nuk kanë marrë përgjigje nga autoritetet policore malazeze.
Ndërkohë, Policia malaleze ka bërë të ditur marrjen e masave të hollësishme për të zbardhur pretendimet për rrezikimin e liderit të lëvizjes qytetare ‘URA’, Dritan Abazoviq, nga, sikundër thuhet, “njëri prej shefave të një klani rajonal kriminal”./MIA
