Kërcënime të reja për bomba në shkollat ​​e Shkupit/ Nxënësit sërish mbetën pa mësim

TË FUNDIT

Në disa shkolla të mesme në Shkup sot sërish kishte kërcënime për vendosje të bombave. Policia ka konfirmuar se kërcënimet janë raportuar rreth orës 14.

 “Alarm për bombë në disa shkolla të mesme të qytetit të Shkupit, ku nga MPB dërguan e-mail deri te mediumet. Tani jemi në vendin e ngjarjes në shkollën “Orce Nikollov”. Siç po e shihni policia nuk na lejon që të afrohemi për çështje sigurie. Kujtojmë që edhe dje ishte i njëjti rast dhe nga kontrollimet e MPB që kanë bërë në këto shkolla, doli që alarmi ishte i rrejshëm.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se hetimet për raportimet e djeshme për bomba janë duke vazhduar dhe janë bërë të njohura të dhënat e para se nga ku janë dërguar ato e-mail. Ai dje për TV21 tha se ka dyshime se bëhet fjalë për sulme hibride ose lojëra politike.

“Unë nuk dua të besoj që janë të mundura lojërat politike që bëhen, në këtë mënyrë të reflektojnë te të gjithë qytetarët. Sektori për krime kompjuterike bëmë analiza, i dorëzuam të gjitha kërkesat dhe nevojat e mundshme në këtë pjesë dhe presim që do të marrim rezultate që të shohim se  prej ku, për çfarë arsye, cilat janë qëllimet që të bëhet kjo. Situata të këtilla nuk ndodhin vetëm te ne, por në të  gjithë rajonin. Megjithatë apeloj që askush në vend të mos ndërmarrë veprime që do të shkaktojnë frikë dhe shqetësim te qytetarët.”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Ndryshe edhe sot nxënësit e 9-të shkollave humbën mësimin pasi u detyruan të evakuohen jashtë objektit të shkollës. Nga MPB njoftojnë se janë bërë kontrollime në 3 shkolla dhe doli që alarmi ishte i rrejshëm.