Keqpërdorim i ri në facebook, thirrje e rrejshme për ndihmë me foton e 18 vjeçarit nga Kërçova

TË FUNDIT

Shtohen keqpërdorimet e personave në rrjetet sociale. Së fundmi është përhapur një informacion në Facebook të cilin e ka publikuar “Shoqata DSH Humanitare” ku kërkojnë ndihma për një djalë më emrin Besim, 13 vjeç i cili siç thuhet ka dëmtime në tru dhe ka nevojë për 970 euro për të pasur një ndërhyrje kirurgjike.  

Në këtë apel është vendosur një fotografi e një të riu nga Kërçova i cili nuk ka aspak nevojë për ndihmë  dhe informacionet e lartpërmendura, përveç fotografisë, nuk përkojnë me të dhënat e tij.

Në këtë rast është keqpërdorur fotografia e Mirlind Bekteshi nga Kërçova i cili ka 18 vjet dhe ka pasur një ndërhyrje kirurgjike estetike para një jave por që nuk ka nevojë për ndihmë.

Mirlindi nëpërmjet Tv21 kërkon që ky publikim të hiqet dhe të mos keqpërdoret identiteti i tij për përfitime.

“Jam Mirlind Bekteshi jam 18 vjeç fotografia në Facebook është e imja por unë nuk kam nevojë për ndihmë, bëra një operacion estetik por e bëra vetë, me vetëfinancim, fotografia ime në Facebook po keqpërdoret sepse unë nuk kam nevojë për ndihmë. Jam duke punuar te kafe “Beni” vetë nuk ka nevojë për mua”, tha Bekteshi.

Pas reagimeve të shumta postimi u largua nga faqja e shoqatës së lartpërmendur.

TV 21 kontaktoi edhe Shoqatën humanitare e cila e ka publikuar rastin por deri në këto momente ata nuk iu përgjigjen telefonatave tona.

Ky nuk është rasti i parë i keqpërdorimit të fotografive. Për një rast të përmasave të njëjta TV21 raportoi edhe muajin e kaluar. Facebook-u në politikat e tij të sigurisë, garanton mbrojtjen e integritetit personal dhe ofron opsionin “report” apo “denonco” për çdo përmbajtje shqetësuese, mirëpo për sa i përet këtyre rasteve, ende nuk është gjetur një mekanizëm më efektiv për të parandaluar keqpërdorimin e identitetit të përdoruesve.