Kemi shkolla me instalim të dobët elektrik, kurse pushteti promovon digjitalizimin – thonë nga ASH-ja

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët, në takimin joformal që e ka organizuar sot në lidhje me reformat në porcesin arsimor – digjitalizimin e arsimit të fillor dhe të mësëm, ka numëruar një sërë mangësi në procesin arsimor, që sipas tyre, pengojnë realizimin praktik të reformave të paralajmëruara.

Kjo sipas tyre, sjellë deri te përfundimi – që reformat për digjitalizimin e arsimit janë të përshpejtuara, pasi siç thonë, ende nuk janë zgjidhur problemet që dolën në pah nga mësimi në distancë i cili filloi të zbatohet pas paraqitjes së virusit Covid-19, nga muaji mars 2020.

“SOT jemi dëshmitarë se sistemi LMS është një zgjidhje e pjesshme dhe i mungojnë format e rëndësishme normative për standardizimin e procesit arsimor, sot kemi akoma mësues të patrajnuar dhe si pasojë kanë njohuri të pamjaftueshme teorike dhe praktike pedagogjike për mësim në distancë, sot ende kemi përmbajtje të pamjaftueshme multimediale digjitale, infrastrukture të dobëta të TIK-ut në shkolla. Si vend, ne ende nuk kemi një udhëzues për kompetencat e nevojshme digjitale për mësuesit dhe nuk kemi një plan strategjik se si ta arrijmë atë. Duke qenë se Revolucioni i Katërt Industrial tashmë është duke u zhvilluar, ne jemi larg krijimit të një arsimi që është në përputhje me nevojat e tregut të punës. Vendi ynë jo vetëm që nuk ndjek rrugën në të cilën vendet e zhvilluara janë shumë të përqendruara për transformimin e sistemit arsimor, por ai e sheh futjen e TIK në arsim si një çështje teknologjike dhe jo si një çështje edukative, duke udhëhequr kështu një proces te mbyllur dhe jotransparent. Proces ku anashkalohen dhe nuk konsultohen nxënësit, prindërit, arsimtarët, institucionet e arsimit të lartë dhe ekspertët e fushës ne vend. Sot jemi dëshmitarë të komunikimit arrogant të qeverisë me publikun, veçanërisht me publikun profesional, i cili është totalisht i margjinalizuar dhe i larguar nga ky proces. Sot ne dëgjojmë histori për fëmijët te vegjël se si librat shkollorë digjitalë janë një reformë e madhe në procesin tonë arsimor. Sot nuk përmendet aspak dhe nuk është ne prioritet infrastruktura joadekuate në sistemin tonë arsimor (instalimi i dobët elektrik, interneti i dobët, mësuesit pa llaptop, numri i pamjaftueshëm i kompjuterëve në shkollë, mësues të pa trajnuar, familje ekonomikisht te paafta për të blerë një pajisje elektronike për çdo fëmijë, prindër që nuk kanë aftësi digjitale, nxënës që nuk mund të gëzohen me certifikatat e tyre në fund të vitit shkollor si çdo bashkëmoshatar në rajon, arsimtare te pavaksinuar etj. ) Imagjinoni, ministria promovon reforma të mëdha për klasën e parë dhe të katërt ne shkollat fillore dhe bëjnë thirrje për digjitalizimin e mësimdhënies Nga ana tjetër heqin lëndën e informatikës, tani kjo gjeneratë ne klasën e katërt ne shkollën fillore do të ketë vetëm 8 orë për tërë vitin qe lidhen me lenden e informatikës, ndërsa në botë është një trend për të futur kodimin nga klasa e pare fillore”, u tha mes të tjerash në brifingun e ASH-së.

Nga atje kanë kërkuar:

1. Shkrim-leximi digjital të konsiderohet prioritet kombëtar
2. Krijimi i një strategjie shtetërore për digjitalizim te arsimit
3. Përshtatja e programeve mësimore në mënyrë që nxënësit të fitojnë aftësi digjitale
4. Mbështetje e vazhdueshme teknike e stafit mësimdhënës si dhe trajnime pedagogjike për zbatimin e TIK-ut në proceset arsimore
5. Futja e kodimit në kurrikulë nga klasa e parë, në mënyrë që gjeneratat e reja të jenë të gatshme dhe kompatibile me trendet botërore
6. Mbështetje te çdo ideje që zhvillon risi për përdorimin e TIK-ut në arsim dhe platforma për mësim në distancë
7. Përcaktimi i standardeve të TIK për kompetencën e arsimtarëve, duke identifikuar burimet e duhura multimediale dhe duke ofruar udhëzime për përgatitjen e klasës
8. Përcaktimi dhe prezantimi i pedagogjisë digjitale me mjete të përshtatshme të përcaktuara./TV21