Kemi gjithsej 129.374 administratorë, punojnë në 1354 institucione publike

TË FUNDIT

Numri i të punësuarve në sektorin publik ka arritur në 129 mijë e 374 persona që punojnë në gjithsej 1354 institucione publike, nga të cilat 60% funksionojnë në nivel lokal dhe 40% në nivel qendror, tregoi  ministri për shoqëri informatike dhe administratë Azir Aliu.

 “Numri më i lartë, përkatësisht 533 institucione i takojnë sferës së arsimit, 125 institucione i takojnë punës dhe politikës sociale, 121 janë të kulturës, 117 drejtori, 113 të punëve komunale, 111 të shëndetësisë, 81 janë të pushtetit lokal, 64 janë të gjyqësorit, 14 të drejtësisë etj”, tha Azir Aliu, ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Në përputhje me këtë raport në pushtetin qendror janë të punësuar 14,531 persona, zbulon ministri Aliu, duke shtuar se gjinia femërore është e përfaqësuar në të gjitha institucionet me përqindje të lartë.

 “Sipas analizës rezulton se përqindja më e lartë e të punësuarve në sektorin publik është në sferën e arsimit edhe atë me 34%, pastaj vijon shëndetësia me 18%, drejtoritë me 13 %, punë komunale 9%, punë dhe politikë sociale 7%, pushteti lokal 5%, transporti dhe kultura me nga 3%, bujqësia pylltaria dhe gjyqësori me nga 2% dhe veprimtari të tjera me 4%”, deklaroi Azir Aliu, ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Krahasuar me vitin e kaluar numri i të punësuarve në sektorin publik është reduktuar për 2714 persona të punësuar, ndërsa numri i të punësuarve në pushtetin qendror është reduktuar për 771 persona, vetëm nëpër ministri janë reduktuar 302 persona.