KE: Vendimin për hapjen e kufijve me Ballkanin Perëndimor duhet ta marrin vendet anëtare

TË FUNDIT

Edhe krahas rritjes së numrit të të infektuarve me Kovid-19 në Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian nuk e ndryshon rekomandimin për hapjen e kufijve me rajonin, por përkujton se vendimin përfundimtar do ta marrin vendet anëtare të BE-së ditëve në vijim.

Javën e kaluar Komisioni Evropian rekomandoi që Bashkimi Evropian t’i hapë kufijtë me Ballkanin Perëndimor prej 1 korrikut, për dallim nga vendet e tjera jashtë BE-së, për të cilat kufizimet për udhëtim në Union duhet të hiqen në mënyrë progresive.

Ky rekomandim për rajonin mbetet, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Adalbert Janz.

“Rekomandimi që të hiqen kufizimet ndaj Ballkanit Perëndimor nuk është  e lidhur vetëm  me gjendjen epidemiologjike por edhe për integrimin e afërt në BE dhe marrëdhëniet tona me rajonin, por ne gjithsesi nga afër e ndjekim gjendjen epidemiologjike dhe vendimin që do ta marrin vendet anëtare deri më një korrik do t’i marrë parasysh numrat e fundit”, deklaroi Janz./MIA