KE-ja alarmon shtetet evropiane: Me përgjegjësi të shfrytëzojnë dozën e tretë

TË FUNDIT

Vendet e Bashkimit Evropian të cilët do të vendosin dozë të tretë plotësuese kundër Kovid-19 mund të përballen me probleme juridike, pasi Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA), ende nuk ka rekomanduar dozë plotësuese të vaksinës, ka bërë të ditur sot KE-ja.

EMA vazhdimisht sugjeron se nevojiten më shumë të dhëna para së të miratohet përdorimi i vaksinës përforcuese.

“Dozat e shtuara për momentin nuk janë miratuar për vënien në prodhim dhe ende nuk kanë qenë lëndë e vlerësimit shkencor nga ana e shkencëtarëve të EMA-s, pasi nuk ka mjaftueshëm prova”, njoftoi Komisioni.

Në kumtesë shtohet se përgjegjësia për vendosjen që të përfshihet vaksina përforcuese në fushatat për vaksinim e kanë vendet anëtare dhe kjo mund të nënkuptojë se në rast të efekteve të padëshiruara te pacientët, vendet e BE-së mund të bartin pasoja juridike.

Qendra Evropiane për parandalim dhe kontroll të sëmundjeve (ECDC) ka njoftuar se Austria, Belgjika, Franca, Hungaria, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu dhe Sllovenia për momentin rekomandojnë përdorimin e vaksinave përforcuese kundër Kovid-19, derisa 13 shtete tjera evropiane ende diskutojnë për këtë.

Vaksina përforcuese kundër Kovid-19 do të jetë e kapshme për amerikanët nga 20 shtatori, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane shëndetësore javën e kaluar.