Paraburgimi si ai i Katica Janevës është tregues se drejtësia në Maqedoni është në drejtimin e duhur, pohoi prokuroja Fatime Fetai duke komentuar paraburgimin e shefes së saj. Sipas saj, vepra penale eventuale e Janevës nuk guxon të përdoret si arsyetim që të harrohet i gjithë krimi që është bërë viteve të fundit në Maqedoni.
“Kjo që po ndodh mund të jetë vetëm tregues i mirë se gjithkush që ka gabuar para ligjit, patjetër duhet të përgjigjet dhe se punët më në fund po shkojnë në drejtim pozitiv në shtetin tonë dhe thjeshtë, askush nuk është i paprekshëm”, tha Fatime Fetai prokurore në Prokurorinë Publike Speciale.
Avokati i Janevës, Stevan Pavlevski thotë se nuk e ka pritur që Janeva të dërgohet në paraburgim dhe se ajo është viktimë e rastit “Reket”.
“Unë mendoj se Katica Janeva është viktimë e rastit dhe këtë do ta dëshmojë”, u shpreh Stevan Pavlevski, avokat i Katica Janevës.
Veprimet për të cilat dyshohet Katica Janeva e varrosën perspektivën e Speciales si dhe vranë shpresën e qytetarëve për drejtësi në Maqedoni, thotë njohësi i çështjeve juridike Naser Ziberi.
“Katica Janeva është viktimë e pakujdesisë, mendjelehtësisë dhe lakmisë së saj për pushtet dhe pasurim. Mendoj se ajo në asnjë mënyrë nuk është dashur që të lejojë dështimin e një procesi kaq të madh siç ishte formimi i kësaj prokurorie për luftë kundër krimit te organizuar në qarqet qeveritare”, deklaroi Naser Ziberi, jurist.
Hetimi duhet të zgjerohet edhe më shumë, nëse ka indicie për përfshirje të personave të tjerë thotë Ziberi. Tani për tani nuk ka dëshmi të mjaftueshme për këtë, tha mbrëmë shefja e krimeve të rënda Villma Ruskoska, por duke e lënë të hapur mundësinë që hetimi të çojë edhe tek politikanë dhe persona të tjerë të PPS-së që mund të jenë përfshirë në “Reket”.
“Nëse do të kisha dëshmi të mjaftueshme do të ishte edhe ndonjë tjetër në paraburgim, andaj thash se hetimi vazhdon dhe ta shohim se ku do të na çojë”, theksoi Villma Ruskoska, prokurore.
Paraburgimi 30 ditor i Janevës ishte i domosdoshëm për shkak së provave të mbledhura për përfshirje të saj në “zhvatje” tha Ruskoska duke shtuar se hetimi për një kolege prokurore ka qenë rasti më i vështirë në karrierën e saj.
Përgatiti: Besir Arifi
