Sot mbushen 4 vjet nga sulmet e armatosura në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Qytetar dhe familjar të të burgosurve u mblodhën tek Sheshi “Skënderbeu” në Shkup, për të protestuar kundër rasteve të montuara politike.
Protestuesit kujtuan edhe rastet tjera si “Almiri”, “Alfa”, “Sopoti”, “Monstra” etj. Nën moton “Stop diskriminimit dhe standardeve të dyfishta” marshuan drejt Gjykatës Penale.
Vajzat e Arsim Bajrami, njërit prej të burgosurve në rastin “Lagja e Trimave” dëshiron që babai i saj të kthehet sa më shpejtë në shtëpi.
“Këtë letër që ta kam dërguar në burg disa ditë më përpara dhe po e lexoj në këtë tubim, unë e kam larë me lot, lot të cilët burojnë nga loçka e zemrës. Deri në përqafimin e ardhshëm unë, nëna, gjyshja dhe të gjithë shqiptarët të përshëndesim me mall dhe dashuri.”
“Unë e dua babain tim dhe e kam zemër. Dua të vij në shtëpi”, u shprehën vajzat e Arsim Bajramit.
Shpëtim Pollozhani nga Këshilli i të burgosurve politik shqiptar kërkoi rishqyrtim dhe rigjykim të të gjitha rasteve të inskenuara politikisht.
“Nga kjo protestë kërkojmë të rishqyrtohen dhe të rigjykohen të gjitha rastet e inskenuara dhe të gjykuara nga gjykatësit partiak të cilët kanë vepruar në kohën e kaçakut Gruevski. Të merren parasysh të gjitha shkeljet dhe lëshimet e qëllimshme procedurale. Kërkojmë që të përmirësohen kushtet nëpër burgjet e vendit”, deklaroi Shpëtim Pollozhani, anëtar i Këshillit të të burgosurëve politik Shqiptarë.
Maide Jashari, familjare e Fetah Alimit, i cili u dënua me 7 vjet burg për ngjarjet e 27 prillit tha se rasti gjyqësor “Lagja e Trimave” është i montuar politikisht dhe këtë e di i gjithë opinioni publik.
“Ky ishte njëri nga rastet më të shëmtuara, më të rënda dhe më i frikshëm politike. Se është rast i montuar politik e dimë ne, e dinë fëmijët e vegjël dhe më siguri e di edhe Prokuroria edhe gjykata”, tha Maide Jashari.
Banorët e lagjes së Trimave mëngjesin e 9 majit të vitit 2015 u zgjuan me krisma armësh dhe ankth. Nga përleshja në mes forcave policore dhe grupit të armatosur banorët mbetën të bllokuar për dy ditë. Gjatë përleshjes me armë humbën jetën 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 nga grupi i armatosur. U plagosën 37 pjesëtarë të policisë dhe u shkatërruan mbi 25 shtëpi. Për rastin e Kumanovës u arrestuan dhe gjykuan 37 persona. Procesi gjyqësor zgjati dy vjet dhe prej 37 të akuzuarve për terrorizëm, vetëm katër persona u liruan nga akuza. Për këtë rast sot është protestuar edhe nëpër disa qytete të Kosovës.
Përgatiti: Valmira Zendeli
