Cilësia e dobët e rrushit këtë vit shkaktoi probleme, por edhe përkundër kësaj shteti do të bëjë gjithçka që të blihet rrushi, deklaroi ministri i bujqësisë, Arijanit Hoxha. Ai tha se këto ditë janë vazhdimisht në terren në rajonin e Tikveshit dhe në bisedë me vreshtarët janë sjellë vendime që tu ndihmohet gjatë blerjes së rrushit me qëllim që të blihet sasi sa më e madhe e rrushit.
“Këtë vit në vreshta ka pothuajse fatkeqësi elementare por me masat tona të gjithë vreshtarët që do të dorëzojnë rrushin do të marrin 8 denarë nga shteti, nëse merren të gjithë masat së bashku dhe plus asaj që do të marrin nga blerësit. Normalisht po e ndjekim situatën, çdo ditë, çdo orë kontaktojmë me Inspektoratin shtetëror të bujqësisë, që janë të pranishëm në vendin e ngjarjes, po bëjmë përpjekje maksimale por jemi të vetëdijshëm për situatën, të vetëdijshëm janë edhe vreshtarët”, deklaroi Arjanit Hoxha – Ministër i Bujqësisë.
Ditëve të fundit në Kavadar përmes tre bodrumeve për verë kryhet blerja e rrushit, për çka vreshtarët marrin deri më 4 denarë për kilogram, varet nga përqindja e sheqerit në rrush, plus subvencionet shtetërore. Dje vonë pasdite vreshtarët u revoltuan pasi që Bodrumi i verës Vardar e ndaloi blerjen, ndërsa vreshtarët të cilët me orë pritën me rreth 50 traktorë të mbushur me rrush, kërcënuan se do të hedhin gjithë rrushin para punktit të blerjes. Në lidhje me këtë reagoi kryetari i komunës, Mitko Jançev, i cili vet ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe me intervenim të tij është qetësuar situata, ndërsa ka qëndruar që të ndjek blerjen deri në orët e hershme të mëngjesit.
Aty ka qen edhe kryetari i Shoqatës “Vreshtarë të avancuar”, Trajçe Kullev, i cili për KTV ka deklaruar se po bëhen përpjekje maksimale që të blihet sasia e plotë e rrushit dhe tha se është i kënaqur që shteti po e subvencionon blerjen.
“Me shoqatën time duam që deri në kokrrën e fundit të gjithëve tu blihet rrushi. Nëse mbetet në ara, shteti të mbledh fuqitë për të ndihmuar për shkak se nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç se atë që e kemi prodhuar të japim në ndonjë bodrum vere dhe të marrim fitim nga kjo. Ne nga kjo jetojmë. Dua që të gjithë deputetët, pa marrë parasysh nga DPMNE apo LSDM të ulen dhe të gjejnë mënyrë që këta njerëz që janë mbledhur këtu të dinë se ku do të shkojë rrushi”, theksoi Trajçe Kullev nga shoqata “Vreshtarë të Avancuar”.
Vreshtarët këto ditë po shpejtojnë që të mbledhin dhe dorëzojnë rrushin, për shkak se ditëve në vijim paralajmërohen rreshje shiu, që në mënyrë shtesë do të shkatërrojë cilësinë e vreshtave, të cilat për shkak të kushteve klimatike këtë vit janë me nivel të sheqerit prej më pak se 18%.
