Mëngjesi i 27 gushtit u shndërrua në një ditë të zezë për botën ujore në Kërçovë. Pamje tronditëse të peshqve dhe gjallesave të tjera të ngordhura mbi sipërfaqen e ujit, si pasojë e një materie të bardhë që rridhte në Lumin e Errët, dëshmojnë për një katastrofë të rëndë ekologjike. I pari e ka vërejtur roja i Shoqatës “Hunter Fish”, e cila ka në koncesion ujërat e Kërçovës. Të shqetësuar, ata kanë alarmuar menjëherë institucionet përgjegjëse.
“Më 27 gusht, në ora 8 e mëngjesit gjatë një rutinë kontrolli në mëngjes nga roja e peshkut që është i punësuar në shoqatën tonë si koncensioner që jemi për të gjitha ujërat e Komunës së Kërçovës që janë të kyçura në rivierën Treska në Kërçovë, ka konstatuar se ka lodhje të botës së gjallë të lumit dhe menjëherë ka informuar inspektorin e bujqësisë dhe inspektorë të punëve të brendshme Kërçovë”, tha Besmir Elezi, kryetar i Shoqatës “Hunter fish” në Kërçovë.
Pas kësaj Elezi thotë se ka informuar edhe Inspektoratin e Ambientit Jetësor në Tetovë dhe presin përgjigje nga të njëjtët. TV21 kërkoi qëndrim nga Inspektorati të cilët na thanë se i kanë dërguar mostrat për analizë dhe pritet që ditët në vijim të kemi një qëndrim zyrtar se nga erdhi e gjithë kjo.
“Kemi marrë mostrat e nevojshme, kemi marr ujë, kemi marr peshk, mbetje të tjera, materialin sot e dorëzuam në Shkup për analizë, mendojmë se javën që vjen analizat do të jenë gati dhe do të kemi një pasqyrë më të qartë për situatën e ndodhur në Kërçovë”, thanë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor – Zyra Tetovë.
Për këtë situatë kanë reaguar edhe nga Shoqata e Gjahtarëve “Eko Fazan” të cilët akuzojnë drejtpërdrejtë TEC e Osllomesë për këtë katastrofë ekologjike, ku siç shprehen, përveç botës së gjallë të ujërave rrezikohen edhe kafshët të cilat shfrytëzojnë për pije ujin e këtij Lumi.