“Katar 2022”, Shqipëria do t’i zhvillojë dy ndeshjet e radhës në Elbasan

TË FUNDIT

Përfaqësuesja e futbollit të Shqipërisë do t’i luajë dy ndeshjet e ardhshme për kualifikueset e botërorit “Katar 2022” në Elbasan dhe jo në Tiranë. Shkak është bërë projekti i rinovimit të barit që duket se po zgjat më tepër se sa parashikohej.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) njoftoi sot se dy ndeshjet e shtatorit do të luhen në “Elbasan Arena”.

FSHF informoi se zhvendosja është e “paparashikuar” dhe lidhet me investimin në rinovimin e fushës. Nga e shtuna, FSHF do të nisë shitjen e biletave ndaj Hungarisë dhe San Marinos.

Ndeshjet kualifikuese për në botërorin “Katar 2022” në program për muajin shtator:

Poloni – Shqipëri, 2 shtator 2021, “PGE Narodowy”, Varshavë.

Shqipëri – Hungari, 5 shtator 2021, “Elbasan Arena”, Elbasan.

Shqipëri – San Marino, 8 shtator 2021, “Elbasan Arena”, Elbasan.

Rezultatet e ndeshjeve të shkuara të Shqipërisë në kualifikueset e botërorit “Katar 2022”:

Andorra 0 – 1 Shqipëri, 25 mars 2021, “Stadio Olimpico”, Serravalle.

Shqipëri 0 – 2 Angli, 28 mars 2021, “Air Albania Stadium”, Tiranë.

San Marino 0 – 2 Shqipëri, 31 mars 2021, “Estadi Nacional”, Andorra.

Stadiumi kombëtar “Air Albania” u ndërtua përmes një partneriteti publik-privat mes qeverisë, FSHF-së dhe kompanisë Alb-Star. Projekti kushtoi dhjetëra miliona euro. Impianti sportiv u përurua në nëntor 2019. Pak muaj më vonë bari i fushës rezultoi problematik duke bërë që FSHF të angazhonte një kompani turke për rinovimin e tij.

Në periudhën 4 dhjetor-28 mars stadiumi u mbyll dhe bari i fushës u zëvendësua nga natyral në hibrid në mënyrë që të ishte gati për ndeshjen me Anglinë. Plani ishte që më pas të vijohej me ndryshimin e plotë të barit në bar artificial në mënyrë që Shqipëria t’i zhvillonte ndeshjet e shtatorit aty. Por, gjashtë muaj më vonë puna nuk rezultoi sipas planifikimeve. FSHF tha se bari pritet të jetë gati në mesin e muajit shtator./21Media