Kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami, inspektori nga afër punimet në bulevardin “V.S Bato”, që do të lidhet me rrugën e Porojit. Gjatësia e bulevardit është 1.5 km, gjerësi 7 metra dhe do të ketë trotuar 2 metra të gjerë, tregoi Kasami. Ai premtoi se në mandatin e tij të ardhshëm do të punojë edhe për zgjatjen e bulevardeve të tjera të Tetovës.
“Në mandatin e ardhshëm përveç që përfundojmë këtë ask të bulevardit “V.S Bato” drejt Porojit, do të ndërtojmë edhe një aks tjetër drejt qarkores së Treboshit. Përveç kësaj do të bëjmë edhe katër mega-projekte për zgjatjen e bulevardeve tjera. Përfundojmë bulevardin “Ilinden” nga posta deri te rrethrotullimi, stadiumi i qytetit, projekt që do ta hapë zemrën e qytetit”, tha Bilall Kasami.
Kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, zhvilloi një aktivitet për të shpalosur një nga pikat e programit – zhvillimin e qendrës rekreative në Tetovë. Tregoi se e kanë në planë ta zgjerojnë edhe me shteg biçikletash që qytetarët të mund ta kalojnë kohën e lirë.
“Pikërisht bëhet fjalë për zhvillimin e kësaj qendre rekreative që fatkeqësisht ka mbetur ndër të vetmet në Tetovë për këto 4 vite jo që nuk është investuar as edhe një projekt të vetëm në këtë anë, por përkundrazi edhe nuk është mirëmbajtur. Plani jonë është ta zhvillojmë këtë qendër rekreacioni, ta zgjerojmë edhe me një shteg biçikletash që qytetarët kohën e lirë të tyre së paku në këtë pjesë të qytetit të mund ta kalojnë edhe ta shfrytëzojnë për rekreacion”, tha Bajram Rexhepi.
