Kasami nuk e di se ku çohen qentë endacakë! Gishtin e drejton kah shoqata që e ka fituar tenderin

TË FUNDIT

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, nuk e di se ku çohen qentë endacakë që kapen në Tetovë nga shoqata “AMOS Pet”, me të cilën Komuna ka nënshkruar kontratë për trajtimin e qenve endacakë.

 “Duhet ta pyesni shoqatën e cila është kontraktuar për trajtimin e qenve endacakë, ne si komunë e kemi bërë gjithë procedurën në bazë të ligjit dhe më nuk mbajmë përgjegjësi se çfarë ndodh me qentë endacak më tutje”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Kasami pretendon se shoqata në fjalë është e regjistruar dhe tenderin e ka marrë sipas rregullores së paraparë.

 “Ne kemi bërë procedurë dhe shoqata është e regjistruar dhe në opinion janë në publik dhe duhet të vazhdoni të bisedoni se çka ndodh më tutje me qentë endacakë”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Nëse vërtetohet se shoqata punon në mënyrë të jashtëligjshme, Kasami zotohet se do t’i merret tenderi.

“Nëse vërtetojmë se shoqata e ka shkelur ligjin, me automatizëm ndërpritet kontrata”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Deri më tani nga shoqata “AMOS Pet”, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të TV21, nuk ka treguar se sa janë kapur dhe ku janë qentë endacak.

Në faqen e tyre në Facebook vazhdimisht hedhin qen, për disa prej tyre madje shkruajnë se janë gjetur në Tetovë, por nuk dihet se ku e si janë trajtuar të njëjtit para se të adoptohen nga ndonjë familje. Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari kanë thënë për TV21 se kjo shoqatë nuk figuron në regjistrin e saj të strehimoreve.

“Çdo strehimore që kryen kontrolle dhe strehim të qeneve do të duhet të ketë miratimin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterani. Për shkak se kjo kompani nuk është në listën strehimoreve që e ka miratuar Agjencia, andaj nuk kemi kryer kontrolle në këtë subjekt. Për shkak se ky subjekt nuk e ka miratimin e Agjencisë, vlerësojmë se nuk është e specializuar për kontrolle të qeneve endacakë”, pohoi Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (06.08.2022).

Kontrata parasheh që shoqata të kapë dhe trajtojë 82 qen, ndërsa për trajtimin e një qeni komuna jep 300 euro – para publike. Vetëm për 8 muajt e fundit 38  qytetarë të Tetovës janë kafshuar nga qentë endacakë. Kjo nënkupton se një person sulmohet pothuajse çdo gjashtë ditë. Për më tepër që këto shifra janë vetëm ato që janë denoncuar në polici, dhe këtu nuk përfshihen rastet në vendet rurale.