Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, mori hapin e parë për t’i hap rrugë procesit të bashkimit të VLEN-it në një subjekt politik. Në mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Besa, Kasami shkarkoi të gjithë anëtarët e Kryesisë Qendrore të partisë.
“Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa, me shumicë votash, miratoi vendimin për shkarkimin e Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Besa, në vazhdën e procesit të filluar për bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm. Kuvendi i Lëvizjes vlerësoi se duhet të hapet rruga për strukturimin e VLEN-it dhe e solli këtë vendim bazuar në moratoriumin e aktiviteteve partiake nga subjektet që përbëjnë VLEN-in”, tha Bilall Kasami – Kryetar i Lëvizjes Besa.
Vendimin e Kasamit e përshëndeti edhe Izet Mexhiti. Shembullin e Kasamit, Mexhiti apeloi që ta ndjekin edhe subjektet e tjera, sipas tij, pasi një gjë e tillë është kërkesë e elektoratit dhe në interes të organizimit politik të shqiptarëve.
“Unë e përshëndes dhe e mbështes fuqishëm. Pra, ashtu siç e kemi deklaruar në media bashkërisht, po punojmë për shkrirjen/fuzionimin, për shkak se është kërkesë e elektoratit e strukturave dhe mendoj që është vlerë e shtuar edhe për organizimin politik shqiptar. Pra, VLEN-i një është synim i përbashkët dhe në këtë drejtim, hapin që e mori Besa dhe Bilall Kasami, unë e përshëndes dhe shpresoj se shpejt do ta përcjellin edhe subjektet tjera brenda VLEN-it”, u shpreh Izet Mexhiti – Kryetar i LD-së.
Shkrirja e VLEN-it në një parti politike u promovua që para zgjedhjeve lokale. Sipas liderëve të VLEN-it, në tavolinë qëndrojnë disa opsione të hapura. Ditë më parë, kreu i Alternativës, Bekim Sali, duke folur për këtë temë në emisionin Click Plus, paralajmëroi mundësinë e krijimit të një unioni, koalicioni ose partie politike me një vulë dhe një përgjegjës, duke theksuar rolin udhëheqës të kryesuesit.
