Kasami kundër vendimit të Qeverisë! Kërkon që të formojë ndërmarrje për energji elektrike

TË FUNDIT

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami e sheh si antiligjor vendimin e Qeverisë që komunat të mos mund të themelojnë kompani ose ndërmarrje për tregti me energji elektrike. Sipas tij ata kanë dërguar që këtë ndërmarrjen ta regjistrojnë në Regjistrin Qendror dhe nëse do të refuzohet, atëherë do të ndjekin hapat ligjor.

“Me një urdhëresë që është lëshuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë bashkësia e vetëqeverisjes lokale që komunat kanë mundësi të themelojnë ndërmarrje publike, shoqëri aksionare dhe tregtare, për prodhim, tregti me energji elektrike. Ne si komunë e Tetovës kemi dorëzuar në Regjistrin Qendror procedurën e themelimit të ndërmarrjes në bazë të vendimit të këshillit, dhe nëse kemi refuzim do i përcjellim të gjithë procedurat ligjore që e njëjta të realizohet”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Kasami vendim e sheh si hap të dëm të qytetarëve.

“Vlerësojmë se është vendim në dëm të qytetarëve”.

Ditë më parë Qeveria vendosi që komunat të mos kenë mundësi të themelojnë ndërmarrje për menaxhim të energjisë elektrike.

“Qeveria ka sjell vendim ku komunave edhe qytetit të Shkupit u ndalohet që të themelojnë ndërmarrje dhe shoqëri me kompetenca të kufizuara ose shoqëri aksionare për kryerjen e veprimtarisë të interesit të përgjithshëm për ndriçim publik. Ky vendim është sjell për atë se njohuritë thonë se komunat kanë themeluar shoqëri tregtare për ndriçim publik edhe ua kanë dhënë shoqërive ekzistuese”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

Këshilli komunal i Tetovës më 28 tetor themeloi ndërmarrjes publike tregtare për energji elektrike, ndërsa dy ditë më pas qeveria me vendim ndaloi komunat që të themelojnë ndërmarre të këtilla.

Arsyetimi i Qeverisë për këtë vendim është se ka për qëllim të parandalohet keqpërdorimi dhe manipulimit gjatë sigurimit të shërbimit universal në tregun e energjisë elektrike.

Ndërmarrje të ngjashme janë themeluar edhe në komuna tjera të vendit. Arsyetimi i kryetarëve të komunave është se në këtë mënyrë ata më mirë do ta menaxhonin ndriçimin publik, pasi që fatura janë shumë të larta edhe të papërballueshme.