BDI për 20 vjetorin e partisë ka organizuar 2 koncerte një në Shkup dhe një në Tetovë. Në Tetovë koncerti është planifikuar të mbahet më 4 qershor në Sheshin Iliria. Por kryetari i kësaj komune Bilall Kasami në emisionin Click Plus të TV21 apeloi deri të BDI që të mos festojë në Tetovë për shkak situatave të fundit me vërshimet nga shiu dhe zjarri që përfshiu dje një fabrikë.
“Më lejoni që nga këtu t’iu bëj një ftesë miqësore BDI-së, që mos shkoj me mend e Artan Grubit dhe me 4 të këtij muaji të festojë në Tetovë. Pas gjithë asaj që i ndodhi Tetovës dhe Tetovarëve në këto 3 ditë tragjedie. Prandaj të reflektojnë dhe të mos provokojnë tetovarët ashtu siç i provokoj shumë keq në një ndeshje futbolli kur krijoi një konflikt të hapur mes Shkupit dhe Tetovës. Uroj dhe shpresoj të mos shkojnë me të njëjtën strategji që vetëm e vetëm një njeri të forcojë pozicionin e tij në një grup të caktuar të një grupi tifozësh dhe të bëjë një ndarje kaq të thellë mes shqiptarëve që nuk ka qenë”, tha Bilall Kasami, kryetar i Tetovës.
Megjithatë të shtunën BDI për festën e partisë në Sheshin Iliria ka ftuar këngëtarë si Tayna, Nora Istrefi, Getoar Selimi, Lumi B, Buta dhe S4MMi. Kasami thotë se BDI këto harxhime i bën me para të keqpërdorura nga fondet publike dhe se kjo feste do të jetë provokim për tetovarët.
Gazetari: Pse po thoni që me 4 qershor është provokim nëse vjen Artan Grubi në Tetovë për festën e paralajmëruar.
“Ato para që i harxhojnë për këngëtarë, të cilët nuk vijnë pa parë në të gjithë e dimë. Janë para të keqpërdorura edhe nga tetovarët, nga menaxhimi i tyre për 8 vjet. Ne e pamë sa keq dhe rënd e kishin dëmtuar xhepin e tetovarëve dhe me gjithë ato projekte të mangëta të cilat i kamë realizuar vetëm të rritur pasurinë e tyre. Në këtë rast ato para nuk i japin nga xhepat e tyre, ato para përsëri janë para të keqpërdorura të fondeve publike të cilat ata duan që të festojnë dhe nuk e di unë ku është ajo arsye që të vijnë dhe të festojnë në Tetovë”, tha Kasami.
Pyetëm Artan Grubin nga BDI për apelin dhe akuzat e Kasamit por përgjigje nuk morëm.
Ndryshe BDI së fundmi publikoi një video në të cilën politikanë, analistë, opinionistë flasin mbi rrugëtimin 20 vjeçar të Bashkimit Demokratik për Integrim.
“U shënua një rritje nga pozita 0 e të drejtave shqiptare falë luftës dhe kuptohet BDI-së që ishte fuqishëm në skenën politike. Këtu kur themi BDI nuk mund të mos e përmendim liderin e saj Ali Ahmetin i cili është figura publike dominante e këtyre 20 viteve jo vetëm te kampi shqiptar por edhe te kampi maqedonas”, tha analisti Mersim Maksuti.
Festa e BDI-së nisë të premten më 3 qershor në Sheshin Skënderbeu në Shkup
