Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami theksoi se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve do të mbyllet deri në fund të këtij muaji. Ai shtoi se, pas përzgjedhjes, do të vijojnë vendimmarrjet për kandidatët për kryetar komune. Tani për tani sipas Kasamit po realizohen anketa për të parë cilët kandidatë kanë më shumë mundësi për të pasur rezultate më të mira në zgjedhje.
“Jemi në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve, procesi është pak më kompleks, duke biseduar me kandidatë të cilët vijnë nga partitë politike por edhe nga shoqëria civile dhe gjithashtu faktorë të tjerë do të kisha thënë të rëndësishëm të shoqërisë, jemi në fazën edhe të testimit, apo të anketave se cili nga këto kandidatë do të kishte dalë më mirë te votuesit”, tha Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.
Nga ana tjetër Kreu i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi, njoftoi se Fronti Europian do të forcohet në zgjedhjet lokale dhe se bisedimet për kandidatët për kryetar komunash janë duke u zhvilluar. Sipas tij, së shpejti do të bëhet një zgjidhje përfundimtare, duke përmendur se partia që ai drejton, Lëvizja Populli, do të jetë ndër faktorët kryesor në Studeniçan.
“Në kuadër të Frontit janë zhvilluar bisedimet për kandidatët për kryetar komunash, së shpejti do të ketë një zgjidhje. Fronti Europian do të vazhdojë të rritet për faktin se realiteti politik i marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut po groposet në dëm të shqiptarëve. Andaj, shpresojmë që fuqizimi i Frontit Europian do të jetë rezultat i këtyre dëmeve që janë në vijën ndëretnike në nivel shtetëror”, u shpreh kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi.
I pyetur se a do e mbështesin Taravarin, Rexhepi tha se bisedimet që mund të jenë mes kryetarit të BDI-së dhe Taravarit janë çështje personale dhe private, dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e Frontit Europian. Dhe se nëse këto bisedime përfundojnë me ndonjë marrëveshje që lidhet me Frontin Europian, atëherë Fronti Europian do të marrë vendim për përkrahjen ose mos-përkrahjen e kësaj marrëveshjeje.
Nga VMRO DPMNE thonë se kanë rreth 35 emra.
“Siç thash, tashmë kemi rreth 33-35 emra, pres që të gjitha emrat të bëhen të ditura përfshi gjysmën e parë të muajit korrik”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Zgejdhejt lokale do të mbahen në tetor të këtij viti.
