Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, po pret që Izet Mexhiti ta formojë lëvizjen e re politikë, me të cilën Besa është e gatshme të bashkëpunojë. Kasami shprehet se përfundimisht duhet të bëhet ndryshim në skenën politike shqiptare.
“Le që jemi të hapur por vazhdojmë të punojmë intensivisht për bashkëpunim me gjithë forcat opozitare. Kemi komunikim të mirë më Izet Mexhitin dhe mendoj se nga momenti i formalizimit të lëvizjes së tij ne do formalizojmë edhe bashkëpunimin. Më lejoni të bëj thirrje edhe te të gjithë strukturat e tjera, partitë e tjera dhe individë të tjerë të pakënaqur nga partitë tjera, t’i bashkëngjiten kësaj lëvizje se përfundimisht ka ardhur koha që tek shqiptarët të bëhet rotacion i pushtetit dhe përfundimisht shqiptarët të bëjnë ndryshimin dhe të jenë të përfaqësuar denjësisht në institucionet e shtetit. Ajo që u bë tek maqedonasit në 2016-tën, mendoj se ka ardhur kohë të ndodhë edhe tek shqiptarët.”- deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Duke folur për bashkimin e opozitës shqiptare, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi në SummerClick tha se në Maqedoni ka aktorë politik, por faktor është vetëm një, Ali Ahmeti.
“Kur jemi te partitë ekzistuese opozitare, Besa e Alternativa, unë do të thosha se ka shumë aktorë politik në skenën politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut por faktor është një dhe i vetmi, e ai është Ali Ahmeti. Këto janë procese në të cilat ka kaluar Bashkimi Demokratik për Integrim. Bëhet fjalë për një periudhë jo të shkurtër dy vjeçare por 22 vjeçare.”- tha Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.
Izet Mexhiti ka paralajmëruar se më 13 gusht do të formojë parti të re. Në këtë subjekt nuk do të bëjnë pjesë edhe anëtarë të tjerë të grupit të zjarrit, si Musa Xhaferi, Blerim Bexheti e Nevzat Bejta, të cilët vendosën të qëndrojnë në BDI, me synimin që ende ka hapësirë për debat brendapartiak për pakënaqësitë e tyre.
